PRISHTINE- 11 janari do të jetë dita kur kabinetet e dy qeverive shqiptare, asaj të Tiranës dhe Prishtinës zytare do të mbajnë mbledhjen e parë të përbashkët.
Mbledhja e përbashkët do të mbahet në Prizren. Të dy kryeministrat, fillimisht kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe më pas nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama konfirmuan takimin përmes postimeve në rrjetin social facebook. Të dy nënvizuan se kjo mbledhje çel një faqe të re është fillimi i një rrugëtimi të ri.
"Bashkëpunimi mes nesh tani e tutje do të jetë edhe më i strukturuar. Synojmë një qasje të përbashkët dhe strategjike për interesat tona vitale."- shkruan Thaçi sot në facebook.
"Do të çelim një faqe krejt të re bashkëpunimi mes dy qeverive që kanë sfidën e njëjtë të demokratizimit, modernizimit dhe integrimit të dy shteteve shqiptare në Bashkimin Europian. Me vetëdijen e lartë për potencialet e zhvillimit dhe nevojat për zhvillim të popullit shqiptar në të dy anët e kufirit, dy qeveritë do të ndërtojnë një qasje të përbashkët strategjike për të hapur perspektiva të reja ekonomike, sociale e kulturore për qytetarët tanë."- shkruan Rama në facebook.
Kryeministri Thaçi bëri me dije se në mbledhjen e parë të përbashkët të dy qeverive do të merren vendime të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, si dhe në fushën e integrimit europian.