GJIROKASTER- Krenaria e qytetit të Libohovës përsa i përket infrastrukturës së vjetër muzeale, janë padyshim sarajet e Mufit Beut, të pozicionuara në qendër të kësaj zone urbane e gjendur në pjesën juglindore të Gjirokastrës.
Ndonëse kalaja e qytetit përbën vendin më të vizitueshëm, pas saj janë padyshim, sarajet e Mufit Beut të cilat janë lënë në harresë nga qeveria shqiptare prej 8 viteve.
Investimi i fundit në to, është realizuar në vitin 2005 nga Ministria e Kulturës, falë një fondi jo më shumë se 87 mijë eurosh.
Edhe ky investim ka rezultuar fatal, pasi një pjesë e sarajeve të famshme, po lëngojnë si rjedhojë e punimeve tepër të dobëta të kryera në të.
Ndonëse godina dykatëshe i është nënshtruar restaurimit të plotë, ajo është dëmtuar në disa elementë ku catia dhe tavanet janë dëmtuar e bashkë me to edhe suvatë e brendshme si pasojë e egrasisë së lejuar.
Sarajet e Mufit bej Libohovës, datojnë të ndërtuara në mes të shekullit XVIII dhe dikur kanë qenë më të mëdhajat në Pashallëkun e Janinës duke qenë një kompleks unikal edhe sot e kësaj dite në jug të vendit. Sarajet janë godina dy katëshe të ndërtuara me gur, e të punuara me dekorim dhe zënë një sipërfaqe prej 2500 metër katrorë. Shumë herë, sarajet kanë qenë objekt grabitjesh nga persona të papërgjegjshëm.