Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë ende të pushtuara nga stuhia e fortë që ka goditur vendin disa ditë më parë. Pothuajse 5 mijë udhëtime ajrore janë anuluar dhe autostradat qëndrojnë ende të mbyllura.
Deri më tani stuhia e fortë që ka goditur pjesën veri lindore të Amerikës, ka shkaktuar 16 viktima.
Temperaturat pritet të arrijnë deri në -30 gradë celcius në North Dakota dhe vende të tjera të vendit, ndërkohë erërat e acarta do t'i ulin edhe më tej temperaturat, deri në -50 gradë.
Deri ditën e mërkurë, thuajse gjysma e SHBA do të ketë temperatura nën 0 gradë.
Por në Brazil situata është krejt e kundërta. Temperaturat e larta që kanë pushtuar Rio de Janeiro-n që javën e kaluar, pritet të vazhdojnë edhe për disa ditë. Ditën e shtunë, temperatura në Rio arriti deri në 50 gradë celcius.
Sipas shërbimit metereologjik, vapa e madhe në vend është rezultat i rritjes së lagështirës nga sezoni i shirave. Në ditët në vazhdim pritet një ulje e temperaturave, por vetëm me pak gradë celcius. Miliona njerëz i janë drejtuar plazheve, si e vetmja mëyrë për të luftuar temperaturat e larta.