TIRANE- Muaji janar pritet që të jetë dhe muaji ku do të paraqesin dorëheqjen nga mandati i deputetit ministrat e kabinetit qeveritar, të cilët janë aktualisht me mandat deputeti, për të bërë të mundur kështu ardhjen e ligjvënësve të rinj në Kuvend. Bëhet fjalë për gjashtë deputetë të rinj që do të hyjnë në Kuvend, ku pritet dorëheqja e ministrave Ditmir Bushati, Shkëlqim Cani, Damian Gjiknuri, Lefter Koka si dhe zëvendësimi i ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, i cili ka dorëzuar kërkesën për lënien e mandatit, por ende nuk është zëvendësuar. Ndërkohë që ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti pritet që t`i kalojë mandati i deputetit pas dorëheqjes së Lefter Kokës, si dhe më pas ai të lërë mandatin për një tjetër deputet. Ministrat Mirela Kumbaro si dhe Bledi Çuçi janë pa mandat. Dorëheqja e ministrave nga mandati i deputetit nisi në muajin dhjetor.