TIRANE- E ndërsa grabitja e argjendarisë në "TEG" është ende nën hetim dhe pa asnjë autor, për herë të parë mbi ngjarjen ka folur dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Ministri i Brendshëm tha se çështja është ende nën hetim dhe ndaj nuk mund të jepen shumë detaje lidhur me të. Ndërsa theksoi se është i nevojshëm bashkëpunimi intensiv me publikun.
"Çështja e grabitjes me armë në një qendër tregtare po ndiqet intensivisht, hetimet vijojnë. Si vepër penale dhe si çështje, hyn te grupi i çështjeve që kërkojnë vëmendje të theksuar hetimore. Kërkohet bashkëpunim intensiv nga publiku. Nuk mund të jepen detaje për shkak të zhvillimit hetimor. Në raste të tilla dështon një zinxhir i tërë duke filluar me kapacitetin e publikut apo segmentet e veçanta për të bashkëpunuar me Policinë e Shtetit, me kapacitetin e shoqërive të ruajtjes fizike, dhe pastaj një sërë pasojash, që vijnë për shkak të delikatesës dhe natyrës së veçantë që kanë këto çështje", tha ministri Tahiri.
"A1 Report" ka sjellë një ditë më parë videon ekskluzive ku duket qartë indiferenca e punonjësit të sigurisë private të "TEG" gjatë momentit të grabitjes nga 4 babagjyshët, si dhe vënia në rrezik e jetës së një fëmije.
Ndërkaq burime nga grupi hetimor bëjnë me dije për "A1 Report" se për të zbardhur autorët e gabitjes dhe dinamikën e ngjarjes, është duke u punuar mbi disa prova të vlefshme materiael të mbledhura nga grupi hetimor, si dhe me shkëmbim informacioni me policitë homologe të Greqisë dhe Italisë.
Po të njëjtat burime bënë me dije, se aktualisht po ekzaminohen pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë në qendrën tregtare, si dhe disa pamje filmike të mbërritura nga policia greke, pasi po e njëjta skemë grabitje është përdorur dhe në një argjendari në zonën e Pireut të Greqisë pak kohë më parë.