Incidenti i ndodhur 2 ditë para Vitit të Ri, gjatë aksionit të policisë për ndalimin e shitjes së mjeteve piroteknike në Bit Pazar i cili rezultoi i dështuar, vazhdon të mos komentohet nga zyrtarët e MPB-së. Sot njëjtë sikur edhe shefja e tij Jankullovska, zëvendës ministri i Brendshëm, Zemri Qamili nuk ishte i kapshëm që të komentojë mbi këtë incident. Qamili nuk iu përgjigj telefonatave të Televizionit ALSAT-M me qëllim informimin e opinionit.
Prej ditësh, zëdhënësja e policisë por edhe vetë Jankullovska bëjnë deklarata jo të qarta lidhur me hetimin e mundshëm edhe të policit të njësitit Alfa, i cili hapi zjarr në ajër mes turmës së njerëzve, e kontestueshme me rregulloren për përdorimin e armëve nga personat e autorizuar. Në këtë rregullore thuhet se policia nuk ka të drejtë të gjuajë me armë zjarri përpara turmës së qytetarëve, aq më tepër kur në një tubim njerëzish ka edhe fëmijë, gra e të moshuar.
Dje zëdhënësja e MPB-së Marija Jakovleska theksoi se po punohet në zbardhjen e rrethanave në të cilat polici shkrepi në ajër, disa plumba nga arma e tij automatike, ndërsa nuk dha përgjigje për dështimin e aksionit policor në Bit Pazar, pasi policia ishte detyruar t'u kthente shitësve mallin e konfiskuar.
Ndërkohë 3 ditë më parë Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovsa,tha se çdo rast i dyshimtë i paraqitur, gjithmonë zbardhet nga policia përfshirë këtu edhe incidentin në Bit Pazar mes policisë dhe shitësve të paligjshëm të fishekzjarrëve. Valmir Kuçi