'Maqedonia gjatë këtij viti do të përballet me dy koncepte, njëri që do të angazhohet për një Maqedoni demokratike të orientuar drejtë NATO-s dhe Bashkimit Evropian, opsion ky i mbështetur nga opozita dhe opsioni tjetër që nënkupton humbje të kohës për qytetarët dhe vetë shtetin'. Kështu u shpreh deputeti opozitar Andrej Petrov, sipas të cilit Maqedonia mund të mbijetoj vetëm në rast se realizohet opsioni i integrimit të vendit. Ndërsa nga RDK-ja shprehen dëshirën që në krye të qeverisë të mos jenë edhe më tej këto subjekte që dëshmuan se nuk kanë kapacitet për zgjidhjen e problemeve.
"Në 2014, pritjet e mija janë se nuk do të ketë ndryshime të mëdha. 2014 është vit i zgjedhjeve presidenciale, sigurisht që do të mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sepse kjo është bërë praktikë në Maqedoni. Dhe mendoj se kjo do të shkaktoj thellim të mëtejmë të hendekut në mes dy parashikimeve se në cilin drejtim duhet të ec zhvillimi i shtetit. Njëri është shoqëri demokratike drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe drejtimi i dytë është humbja e kohës, humbja e resurseve, qërim hesapesh mes vete dhe largim nga prioritet kyçe për vendin të cilat janë NATO dhe BE-ja", tha Andre Petrov, LSDM.
"Nuk jam optimist nëse edhe më tutje në qeveri do të jenë këta dy parti politike të cilat dëshmuan se nuk kanë kapacitet dhe nuk kanë vullnet për të bërë diçka më shumë në drejtim të zgjidhjes së kontestit të emrit", u shpreh Naxhi Xhelili, RDK.
Ndërkohë nga partia e Gruevskit, VMRO-DPMNE-ja shprehen se gjatë 2014 krahas zgjedhjeve presidenciale, do të vazhdoj edhe më tutje problemi me Greqinë si dhe folklori në Kuvend, megjithatë shprehen optimist për rritjen ekonomike. Ndërkohë, nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e BDI-së Suzana Saliu kërkon që gjatë këtij viti kuvendi të miratoj ligje më cilësore.
"Pritjet i bazoj në nevojat reale të qytetarëve, sërish do të kemi cikël zgjedhor, sërish do të kemi probleme me Greqinë, sërish do të përballemi me folklorin në Kuvend që e kishim edhe deri tani, por pres dhe shpresoj se rezultatet ekonomike do të jenë më të mira se viti që lamë pas", theksoi Ilija Dimovski, VMRO-DPMNE.
"Ne deputetë duhet të jemi më tepër të përqendruar në cilësinë e ligjeve se sa në sasinë e ligjeve, sepse ne me këtë dinamikë që kemi punuar gjer më tani kemi dëshmuar se kemi sjellë shumë ligje, por vihet në pikëpyetje cilësia e ligjeve, përmbajtja e ligjeve, shpresojmë se vitin e ardhshëm ne jo vetëm që do të sjellim ligje më cilësore, më të qëndrueshme, me standarde më të pranueshme për të gjithë qytetarët, por edhe do ta përforcojmë kontrollin parlamentar ndaj punës së ekzekutivit", deklaroi Suzana Salihu, BDI.
Në këtë kontekst vlen të përmendim se vitin që kaloi kuvendi ka miratuar një sërë ligjesh në procedurë të përshpejtuar, shumë prej tyre në mungesë të opozitës dhe pa ndonjë debat paraprak. Bedri Rexhallari