Policia nuk ka asnjë detaj të ri mbi incidentin e ndodhur 2 ditë para Vitit të Ri, gjatë aksionit të saj i cili rezultoi i dështuar, për ndalimin e mjeteve piroteknike. Për më tepër, zëdhënësja e policisë dhe vetë Jankullovska bëjnë deklarata jo të qarta lidhur me hetimin e mundshëm edhe të policit të njësitit Alfa, i cili hapi zjarr në ajër mes turmës së njerëzve, e kontestueshme me rregulloren për përdorimin e armëve nga personat e autorizuar. Në këtë rregullore thuhet se policia nuk ka të drejtë të gjuajë me armë zjarri përpara turmës së qytetarëve, aq më tepër kur në një tubim njerëzish ka edhe fëmijë, gra e të moshuar.
Neni 26:
"Nuk përdoret armë zjarri nëse me atë akt vihet në rrezik jeta e qytetarëve të tjerë... fëmijëve e të moshuarve, nëse këta persona nuk rrezikojnë jetën e personit zyrtar apo personave të tjerë, me armë zjarri ose mjete të tjera të rrezikshme."
Nga ana tjetër, neni 22 numëron taksativisht rastet kur mund të përdoret arma e zjarrit nga punonjësit policor.
Neni 22:
"Personi zyrtar i autorizuar, nëse me mjete të tjera dhune nuk mund të mbrojë jetën e qytetarëve ose të shmangë nga vetja sulmin e mundshëm me të cilin mund të rrezojë jetën e tij, përdor armë zjarri nëse është i sulmuar fizikisht me mënyra ose me mjete armë, armë të rrezikshme ose mjete të tjera me të cilat rrezikohet jeta; nëse sulmi për rrezik jete kryhet nga dy ose më shumë persona, nga një person fizik në pamje të parë më të fuqishëm ose person që posedon aftësi të veçanta..."
Zëdhënësja e MPB-së Marija Jakovleska theksoi se po punohet në zbardhjen e rrethanave në të cilat polici shkrepi në ajër, disa plumba nga arma e tij automatike, ndërsa nuk ka përgjigje edhe për dështimin e aksionit policor në Bit Pazar, pasi policia ishte detyruar t'u kthente shitësve mallin e konfiskuar.
"Nuk mund t'ju them tani... ajo është punë e kolegëve. Nëse vërtetojnë se duhet të ketë ndonjë ankesë, do ta bëjnë atë por tani nuk mund të flasë përmendësh për shkak se megjithatë, procedura e Kontrollit të Brendshëm është pak më e gjatë, ka ekspertiza të ndryshme në kuadër të tij. Nuk kemi informata të tjera përveç asaj që kishim. Informata e plotë është publikuar në buletinin e MPB-së", dekalroi Marija Jakovlevska, zëdhënëse e MPB-së.
Ndërkohë 2 ditë më parë Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovsa,tha se çdo rast i dyshimtë i paraqitur, gjithmonë zbardhet nga policia përfshirë këtu edhe incidentin në Bit Pazar mes policisë dhe shitësve të paligjshëm të fishekzjarrëve. Valmir Kuçi