TIRANË - Policia Rrugore në Tiranë ka dërguar në prokurori 82 drejtues mjetesh vetëm për muajin dhjetor, ndërsa janë mbi 20.000 masa administrative që janë vënë ndaj shoferëve të cilët kanë shkelur rregullat e qarkullimit.
Këtë e konfirmon për A1 Report shefi i sektorit të edukimit në komisariatin e Policisë Rrugore në Tiranë, Eduard Veliu.
Sipas tij, fluksi i lëvizjeve në rrugë ka sjelllë për policinë rrugore dhe një shtim të masave administrative ndaj shoferëve problematikë.
Ku 82 drejtues mjetesh janë proceduar penalisht për muajin dhjetor. Po ashtu Veliu thotë se këtë periudhë ka patur dhe një dyndje në shlyerjen e gjobave të prapambetura nga qytetarët.
E ndërsa jemi në ditët e para të vitit 2014-të, nuk mungon dhe një këshillë për të gjithë drejtuesit e mjeteve.
"Të respektojnë detyrimet ligjore dhe Kodit Rrugor, pasi kjo jo vetëm që do të sjellë një lehtësim të lëvizjes në rrugë por edhe qytetarët të mos paguajnë para për shkelje që mund të evitohen", është këshilla që jep shefi i sektorit të edukimit në komisariatin e Policisë Rrugore në Tiranë, Eduard Veliu.