A1 Report - Viti i Ri, jo të djegur, por numër i lartë intoksikimesh nga alkooli

2015-08-21 0

TIRANË - Vështirësitë ekonomike të 2013-s kanë pasur anën e tyre pozitive te kryeqytetasit, pasi këtë vit nuk ka pasur të djegur ose të lënduar nga fishekziarret gjatë momentit të ndërrimit të viteve.

Duket se në këtë aspekt kriza ekonomike ka pasur efektin e saj pozitiv, pasi ka detyruar shqiptarët që të jenë më të arsyeshëm në konsumin e artikujve të luksit, siç janë edhe fishekziarret.

Në Qendrën Spitalore "Nënë Tereza" në spitalin e Djegieve nuk është paraqitur asnjë rast me lëndime, por i lartë ka qenë numri i të intoksikuarve nga alkooli, ku në Urgjencën e Spitalit mjekët tregojnë për mbi 100 raste.

Festimet e shfrenuara për një pjesë të njerëzve kanë pasur edhe anën e tyre negative. Mjekët e urgjencës në QSUT thonë jashtë kamerave se, në orët e para të mëngjesit të datës 1 janar 2014, numri i të intoksikuarve nga alkooli ishte mjaft i lartë duke i kaluar mbi 100 raste dhe fluksi ra vetëm gjatë paradites.

Sipas bluzave te bardha pacientët pasi i janë nënshtruar trajtimit e kanë kaluar rrezikun dhe disa prej tyre kanë lënë tashmë spitalin.

Edhe në Shkodër, siç informon korrespondenti i "A1 Report", Elvis Nabolli, "nata e ndërrimit të viteve ka bërë që rreth 18 persona të përfundojnë në urgjencen e spitalit rajonal të Shkodrës nga abuzimi me alkoolin".

Edhe mungesa e medikamenteve ka qenë një problem i madh për urgjencën e spitalit rajonal, pasi sipas shefit të shërbimeve të urgjencës Astrit Lahi, mbyllja e farmacive përreth spitalit ka shkaktuar jo pak probleme në gjetjen e medikamenteve.

Free Traffic Exchange