Presidenca greke, e ardhme e zymtë për Maqedoninë dhe Turqinë në BE

2015-08-21 0

Viti 2014 dhe presidenca 6-mujore greke e BE-së, pritet të jetë një nga më të varfrat, më problematike, dhe më të kontestuarat. Një vlerësim i tillë vjen nga shumë media të huaja, pikërisht sot, ditën që Greqia mori sot presidencën e Bashkimit Evropian, me një buxhet modest dhe me pritje akoma më modeste nga vendi ballkanik. Çështja më problematike është vendosja në pikëpyetje e zgjerimit të BE-së, nisur nga fakti që vendet që synojnë të trokasin, janë të etiketuar me shenjën e kryqit nga Greqia. Edhe vetë diplomatët grekë, siç shkruante sot AFP, e justifikojnë mënjanimin e zgjerimit të Bashkimit Evropian me mosmarrëveshjet shumëvjeçare të Athinës me Maqedoninë për çështjen e emrit, si dhe me Turqinë për Qipron. As Maqedonia dhe as Turqia nuk mund të presin çudira këtë vit, përveçse ndonjë krizë më tepër. Të vetëdijshëm se shumica në Union i shohin grekët si komb, që për shkak të borxhit dhe korrupsionit ka tërhequr edhe shtete të tjera në krizë ekonomike dhe financiare, ata premtojnë se kryesimi i tyre do të jetë "spartan". Për shpenzimet që kërkon presidenca e radhës, Athina ka caktuar një buxhet të ulët si asnjëherë tjetër, me vlerë vetëm 50 milionë euro, që është 10 milionë më pak nga ai i Irlandës, që dorëzon presidencën. Ndërkaq, nga sot, Letonia ka hyrë në zonën euro, duke u bërë kështu vendi i 18-të i eurozonës, një ndryshim ky i miratuar edhe nga vetë letonezë. Dy milionë banorët letonezë i dhanë lamtumirën monedhës së tyre kombëtare Lata e futur në vitin 1993 për të zëvendësuar rublën e epokës sovjetike. Admir Qose

Free Traffic Exchange