Maqedonia feston në hare ndërrimin e viteve

2015-08-21 1

Dikush në sheshin e qytetit, dikush në kafene, por shumica në ambiente familjare. Kjo ka qenë atmosfera festive në Shkup por edhe qytete të tjera të vendit, me dy dallime, të një zbehjeje për shkak të ekonomisë familjare, si dhe të ndarjes gjithnjë e më të thelluar të festuesve, të cilët më së shumti janë të moshave të reja. Në Shkup, ndërrimi i viteve u shënua në qendër të qytetit, me një koncert enkas për Vitin e Ri, i nisur që në orën 21 të mbrëmjes, e për të vazhduar me shkrepjen e fishekzjarrëve në mesnatë. Festa e qytetarëve vazhdoi edhe pas mesnate, edhe pse shumë prej qytetarëve thoshin se edhe koncerti, e vetmja ngjarje atraktive për qytetarët, kishte një numër të vogël këngëtarësh e grupesh muzikore.

Zhurma e shpërthimeve dhe drita e fishekzjarrëve paralajmëroi edhe numërimin e sekondave të fundit nga viti që lamë pas, ndërkohë bashkimi i akrepave të orës shënoi fillimin e vitit të ri 2014 kur qytetarët shtrënguan duart me njëri tjetrin, me dëshirën që ky vit t'ju sjellë shëndet, lumturi dhe suksese në çdo fushë. Një atmosferë e ngjashme dhe plot fishekzjarrë vërehej pothuajse në të gjitha lagjet e Shkupit dhe qytetet e tjera të vendit.

Vetëm pak orë pas mbylljes së festimeve, Shkupi u gdhi i qetë. Ata që duhej të punonin këtë mëngjes ishin punonjësit e "Higjienës Komunale" të cilët pastronin shishet dhe kanoçet e pijeve si dhe kapsollat e djegura. Këtë mëngjes mund të vëreheshin edhe organizatorët e koncertit të mbrëmshëm në qytet, që mblidhnin skenën dhe pajisjet e saj. Ndërkohë rreth lumit Vardar mund të vërehej një numër i vogël qytetarësh, veçanërisht pensionistë, që bënin xhiron e tyre rutinë. Atmosfera e Vitit të Ri do të vazhdojë edhe sonte, në natën e dytë ku janë organizuar manifestime të ndryshme në lokale dhe restorante. Melihate Rustemi