Sulmi i dytë brenda 24 orësh në Voglograd. Gjatë shpërthimit të trolejbusit plotë me udhëtarë, të paktën 14 persona humbën jetën. Inspektorët që kryejnë hetimin konsiderojnë se edhe kësaj radhe bëhet fjalë për sulm terrorist. Sipas burimeve mjekësore, gjatë shpërthimit janë plagosur të paktën 28 persona. Ekspertët mjekoligjorë thanë se shpërthimi ka të njëjtat elemente të sulmit të djeshëm ku humbën jetën 17 persona.
"Në Volgograd qysh dje u shpall gjendje e jashtëzakonshme. Për të garantuar sigurinë e qytetarëve gjatë festave të ardhshme, masat e sigurisë do të rriten më tej", u shpreh Vladimir Stepanov, zv/ministër i Emergjencës.
Banorët e Volgograd ndihen të frikësuar, dhe thonë se prej dje, askush nuk ndihet më i sigurt në këtë qytet.
"Nëse i pyetni njerëzit, askush nuk do të përgjigjet se ndihet i sigurt. Shumë gjera premtohen, por pak bëhet për sigurinë. Këtë mund t'ua vërtetojë çdo kush", u shpreh Sergei, banor i Volgogradit.
"Është tmerr, ky shpërthim i dytë. Është shumë i dyshimtë. Madje, më kujtohet edhe viti i kaluar, ku pikërisht më 29 dhjetor patëm një tragjedi ajrore. Tani sërish ndodhin gjëra të këqija. Nuk pres që Viti i Ri të jetë më i mirë se i vjetri", tha Ivan, banor i Volgogradit.
Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi rritjen e masave të sigurisë në vend. Deri tani askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmet, por autoritetet ruse hedhin dyshime tek militantët islamikë nga Kaukazi Verior. Këshilli i Sigurimit i OKB-së i dënoi sulmet, të cilat ndodhin 6 javë përpara Olimpiadës Dimërore në qytetin rus të Soçit. Petar Bllazhevski