Gruevski: Incidente të nxitura politikisht, Marrëveshja e Ohrit po zbatohet

2015-08-21 1

Incidentet nëpër autobusët urbanë dhe rrugët e Shkupit janë të nxitura për qëllime politike. Kështu ka konstatuar kryeministri Nikolla Gruevski në intervistën e fundvitit në televizionin shtetëror, pavarësisht se ministrja Jankullovska kohë më parë deklaronte se ideja që incidentet janë të orkestruara është konstruim monstruoz. Gruevski madje fajësoi edhe mediat të cilat raportojnë për incidentet, duke thënë se ata dramatizojnë situatën dhe nxisin revanshizëm.

"Ato zakonisht janë njerëz të nxitur nga demagogjia e dikujt, që kanë qëllime të pastra individuale politike. Nuk mund të jenë njerëz që janë zgjuar në mëngjes dhe kanë vendosur të sulmojnë autobusë. Ato janë njerëz të cilët më herët dikush i ka indoktrinuar, ka ndikuar te ata. Më herët, të themi para 25 vitesh, kur kishte situata të tilla askush nuk i paraqiste ato në televizion. Tani flitet për çdo incident më të vogël. Nga njëra anë është mirë që flitet, nga ana tjetër ndonjë media di ta dramatizojë situatën në përmasa që të krijojë frustracione te pala tjetër dhe dëshirë për revanshizëm", u shpreh Nikolla Gruevski, kryeministër.

Sipas kryeministrit, Qeveria e tij po mban llogari edhe për implementimin e obligimeve të dala nga Marrëveshja e Ohrit. Ai vlerëson se kjo marrëveshje është zbatuar në masë të madhe, përveç përfaqësimit të drejtë dhe adekuat si obligim afatgjatë.

"Shpesh ajo Marrëveshje Kornizë interpretohet në mënyra të ndryshme ashtu siç do dikush ta interpretojë, me qëllim që të nxjerrë diçka më shumë ose më pak, dhe kjo është një prej dobësive, interpretimi. Ose kur është aq shumë e qartë situata dhe dikush nuk mund ta interpretojë, thotë në frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Nuk kemi probleme të mëdha, sepse si parti, ashtu si edhe partitë e tjera parlamentare jemi deklaruar dhe punojmë sinqerisht për implementimin e gjithçka që është në Marrëveshje, dhe në masë të madhe është implementuar. Kanë mbetur edhe disa gjëra, punësimet të cilat janë pjesë e obligimeve afatgjate të Marrëveshjes, edhe aty po punohet", deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministër.

Gruevski komentoi edhe intervistën e javës së kaluar të liderit të BDI-së Ali Ahmeti. Ai konfirmoi dallimet për të cilat kishte folur Ahmeti, por shtoi se për to diskutohet rregullisht mes partnerëve të koalicionit.

"Ai përdori një fjalor me raketa "patriot" e kështu me radhë. Në rregull, ajo ishte ndonjë simbolik, mënyrë e tij e shprehjes. Sidoqoftë, mund të them se po, kemi dallime, e kemi thënë disa herë. Kemi dallime për shumë gjëra. Por, ne për këto dallime flasim, negociojmë, bëjmë dialog. Për disa prej tyre kemi gjetur zgjidhje, për disa jo", tha Nikolla Gruevski, kryeministër.

Kryeministri dhe lideri i VMRO-së ka thënë se partia e tij do ta shpalosë kandidatin presidencial në fillim të vitit që po vjen. Ai tha se nuk janë të fokusuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato presidenciale, por se nëse dikush i kërkon, ata janë të gatshëm. Benjamin Arifi