Malevska: BDI-ja nuk do të pranojë zgjedhje të parakohshme në mars

2015-08-21 1

Pavarësisht dëshirës dhe gatishmërisë të kryeministrit Gruevski për zgjedhje të parakohshme parlamentare, zgjedhje nuk ka për të pasur. Kështu vlerëson ekspertja Mirjana Malevska, duke konsideruar se do të jetë BDI-ja, partia që nuk do të pranojë shpërndarjen e Kuvendit dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme. Sipas Malevskës, më e fortë se dëshira për një tjetër mandat do të jetë synimi i BDI-së që të mos e zgjasë jetën e VMRO-së në pushtet, duke i lejuar zgjedhje të parakohshme në një pozicion të favorshëm për ta.

"VMRO-së i shkojnë për shtati zgjedhjet e parakohshme sepse të gjithë indikatorët tregojnë se ata mund të fitojnë shumicën. Por pyetja kyçe është se a i shkojnë për shtati BDI-së. Mendoj se qëndrimi i tyre është anti-valent, edhe iu përshtatet edhe jo. Ju përshtatet edhe një mandat, sigurisht të gjitha partitë garojnë të vijnë dhe të qëndrojnë në pushtet. Por cila është ajo që nuk iu përshtatet. Të jetë në koalicion qeveritar me një parti nacionaliste dhe albanofobe, është ëndërr e keqe për BDI-në. Kështu që, ata nga njëra anë dëshirojnë edhe një mandat, nga ana tjetër janë në agoni", deklaroi Mirjana Malevska, analiste.

Nga ana tjetër, duke komentuar intervistat e njëpasnjëshme të kryeministrit Gruevski në mediat pro-qeveritare dhe refuzimit për ballafaqim televiziv me kundërshtarët politikë, Malevska theksoi se kjo është karakteristikë e regjimeve autoritare.

"Gruevski është një person që dëshiron të dominojë, ta ketë skenën e rregulluar, pyetjet të jenë sipas qejfit të tij, që të mund ta thotë atë që është pozitive, sipas tij. Tjetra është stili autokratik i sundimit. Nëse keni stil autokratik sundimi, siç demonstron kjo qeveri "ne e dimë më së miri se si duhet". Ata mendojnë se opozita është diçka që nuk duhet, i pengon në arritjen e qëllimeve të tyre të larta...për këtë shkak refuzojnë të përballen në debat", u shpreh Mirjana Malevska, analiste.

Edhe në intervistën e fundit të tij, Gruevski komentoi çështjen e mos ballafaqimit televiziv me kundërshtarët e tij në 7 vitet e fundit. Ai u arsyetua se ky është model i instaluar nga pushteti i mëhershëm, por theksoi se kusht për debat televiziv është edhe sjellja dinjitoze e opozitës. Benjamin Arifi