Kërçova, qyteti me më shumë viktima në aksidente trafiku

2015-08-21 2

216 aksidente rrugore e kanë bërë Kërçovën varrin më të madh në nivel kombëtar, për vitin që po lëmë pas. Nga këto aksidente, numri i viktimave raportohet 8, të moshave të ndryshme, ndërsa 92 të tjerë kanë pësuar lëndime. Nga Sektori i Punëve të Brendshme të Ohrit theksojnë se më së shumti, aksidentet ndodhin gjatë kohës kur Kërçova mbushet me mërgimtarë.

"Aksidentet rrugore më shpesh ndodhin gjatë verës, kur në qytet dhe rrethina, vijnë mërgimtarët. Arsyet më të shpeshta të aksidenteve rrugore janë mosrespektimi i rregullave të qarkullimit, mos respektimi sinjalizimit vertikal dhe horizontal rrugor, drejtim automjeti nën ndikim të alkoolit si dhe tejkalim të shpejtësisë së lejuar", tha Stefan Dimovski, Zëdhënës i SPB-së, Ohër.

Autoritetet policore rajonale bëjnë thirrje për ndërgjegje më të lartë qytetare, e sidomos tani, në prag të sezonit të festave të fundvitit. Apeli kryesor është ai i kujdesit ndaj pijeve alkoolike.

"Iu bëjmë apel të gjithë qytetarëve, të gjithë pjesëmarrësve në qarkullimin rrugor, të tregojnë kujdes maksimal dhe të kontribuojnë në rritjen e sigurisë në qarkullim; kuptohet, t'u përmbahen rregullave të qarkullimit dhe gjatë festave të fundvitit të reduktojnë dozat e konsumimit të alkoolit", u shpreh Stefan Dimovski, Zëdhënës i SPB-së, Ohër.

Policia pranon se ndërgjegjja qytetare ka nevojë për kalitje të mëtejshme, me gjithë një sërë aktivitetesh ndërgjegjësimi që janë marrë me rininë dhe qytetarët në përgjithësi, për kujdes gjatë drejtimit të automjeteve. Policia sugjeron që këto fushata të jenë më aktive, veçanërisht në ambientet shkollore. Avdi Bakiu