A1 Report - Nishani dekoron kryetarin e komunës se permbytur ne Bushat

2015-08-21 0

SHKODËR - Presidenti Bujar Nishani ka dekoruar sot kryetarin e komunës Bushat, Zef Hila, komunë që u përmbyt edhe në vitin 2010, edhe në vitin 2011, kohë kur drejtohej nga Hila.

I pranishëm personalisht në Bushat, ku u zhvillua ceremoninë e dekorimit, Nishani ia ka dhuruar dekoratën kryekomunarit në praninë e dhjetëra banorëve të zonës, deputetëve të parlamentit shqiptar, drejtuesve vendorë.

Gjate fjalës së tij presidenti i Republikës ka vlerësuar kontributin e banorëve të komunës së Bushatit e në mënyrë të veçantë të kryetarit Zef Hila.

Dekorata dedikuar atij mbante titullin: "Për merita të veçanta civile" me motivacionin: "Ka shfaqur cilësi të veçanta administruese dhe përkushtim të lartë ndaj qytetarëve në nevojë, në rrethana të fatkeqësive natyrore".

"Kemi nevojë për shembuj të njerëzve të mirë, të njerëzve të punës, familjarë e të ndershëm", - u shpreh Presidenti Nishani duke vlerësuar njëherësh faktin se zoti Hila ka ditur të fitojë besimin dhe mbështetjen e banorëve të Bushatit.

Kryetari i komunës së Bushatit, Zef Hila gjatë fjalës së tij ia ka dedikuar këtë titull, të gjithë banorëve të Bushatit, këshillit të komunës dhe administratës me të cilën ai ka arritur që të bëjë realitet investimet, që sot janë pjesë e këtij komuniteti.

Në kuadër të kësaj ceremonie ishte organizuar një aktivitet festiv me këngëtarë të njohur të muzikës popullore shkodrane, të cilët e kanë kthyer në një festë këtë ditë të dekorimit të kryetarit të komunës Bushat.

Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen dhe falenderimin për pritjen e ngrohtë që iu rezervua prej tyre dhe theksoi se ndihej i privilegjuar që ndodhej në prani të miqve dhe banorëve të një prej zonave më të bukura e më patriotike të vendit.

Free Traffic Exchange