Bashkësia Islame e vlerëson të sajën truallin në Kala të Shkupit, pavarësisht se në ankand publik ky truall iu shit kompanisë së biznesmenit Kamçev dhe se Komisioni i shkallës së dytë ende nuk ka sjellë vendim. Sekretari i BFI-së Afrim Tahiri në emisionin "Rruga Drejt" u shpreh se trualli i dëshiruar në Kala kufizohet me pronën e myftinisë së Shkupit, dhe ai është i bindur se do të marrin edhe truallin kontestues.
"Bashkësia Islame ka 3 vite që ka pronën e vet aty, e ka myftininë e Shkupit. Ka blerë një shtëpi, ka edhe vend dhe është gjendje faktike. Në vazhdimësi nga myftinia e Shkupit ajo pjesë do të bëhet pronë e BFI-së ngase edhe historikisht u ka takuar myslimanëve në të kaluarën. Nuk jemi larg asaj që protesta e BFI-së nuk do të jetë për truallin në Kala, sepse atë në njëfarë forme e konsiderojmë se është e jona, por do të jetë për Xhaminë Burmali", deklaroi Afrim Tahiri, sekretar i përgjithshëm i BFI-së.
Edhe zv/kryeministri Xhaferi u shpreh optimist se ka akoma hapësirë dhe mundësi që të rregullohet kjo çështje dhe trualli në Kala ti jepet Bashkësisë Islame.
"Nëse pyetem unë atëherë do të thosha po, ka hapësirë për tu përmirësuar gabimi. Për mendimin tim po, edhe në aspektin formal procedural, edhe në aspektet e tjera. Për arsye se në fund të fundit janë njerëzit ata që i rregullojnë çështjet", tha Musa Xhaferi, zv/ kryeministër.
Sekretari i BFI-së nga ana tjetër theksoi se nëse toka e premtuar nuk i jepet BFI-së, dhe vazhdon diskriminimi ndaj Bashkësisë Islame, ata do të jenë të detyruar që drejtësinë ta kërkojnë përmes protestave në rrugë.
"Sa i përket besimtarëve, imamëve, janë në vazhdimësi në kontakt me ne. Vetëm nesër në 650 xhamitë e Maqedonisë falin xhumanë 150 mijë burra, flas vetëm burra. Ata në çdo moment presin fjalën, urdhërin e Bashkësisë Islame për ta kërkuar të drejtën përmes protestës, edhe pse është një akt që ne më së pakti e dëshirojmë", u shpreh Afrim Tahiri, sekretar i përgjithshëm i BFI-së.
Në emisionin e mbrëmshëm u fol edhe për mundësinë e rindërtimit të Burmali Xhamisë. Afrim Tahiri shpalosi një dokument të nënshkruar nga Musa Xhaferi me të cilin kishte kërkuar nga BFI-ja që të anulojë protestat e paralajmëruara për 15 mars të këtij viti, që kishin të bëjnë me rindërtimin e Burmali Xhamisë. Bashkësia Islame u shpreh e gatshme që të paguaj dyfishin e shumës investitorit grek i cili duhet të ndërtojë në vendin e Xhamisë Burmali. Tahiri u shpreh se si për Burmali Xhaminë, ashtu edhe për truallin në Kala, kreu i BFI-së Sulejman Rexhepi vazhdimisht zhvillon takime të drejtpërdrejta me kryeministrin Gruevski dhe ambasadorët e huaj në Maqedoni. Benjamin Arifi