GJIROKASTËR - Prej kohësh, materniteti i Gjirokastrës ndodhet në gjendje të mjerueshme ku lagështira dhe myku kanë mbuluar dhomat e pacienteve, apo aty ku rehabilitohen bebet e porsa ardhur në jetë. Madje, edhe dritaret e këtyre dhomave janë të mbyllur me plastmas, në këto ditë të ftohta dimri ku temperaturat kanë rënë nën zero gradë celsius. Për kreun e spitalit Armand Mamani, është hartuar një projekt për restaurimin e kësaj godine e cila është dërguar për miratim në Ministrinë e Shëndetësisë.
"Godina dihet që ka probleme, duket që nga jashtë. Ka një projekt që është çuar për miratim në Ministrinë e Shëndetësisë. Shpresojmë që me fondet e sivjetshme dhe investimeve të miratohet. Gjendja sidomos në katin e sipërm është problematike", tha për mikrofonin e A1 Report Armand Mamani, drejtor i Spitalit Rajonal "Omer Nishani".
Një tjetër problem jo pak të rëndësishëm që ndeshet si për spitalin rajonal, ashtu dhe për maternitetin, është edhe mungesa e anestezistëve. Në këtë maternitet vijnë për të lindur foshnja, nëna që nga Levani në kufi me Mallakastrën, e deri në nëna nga Konispoli në ekstremin jugor të vendit.