SARANDE- Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurori ish-drejtorët e Agjencisë Rajonale të Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave dhe Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) në Sarandë.
Pas auditimit të realizuar në këtë agjenci për veprimtarinë në periudhën Janar 2011-shtator 2013 ka rezultuar se dy ish-drejtues të kësaj agjencië dhe 5 drejtorë Drejtorinë Rajonale të ALUIZNI-t në Sarandë, kanë abuzuar me detyrën duke lejuar legalizime të jashtëligjshme në Zonat Arkeologjike dhe pranë Vijës Bregdetare për mbi 100 subjekte.
Nisur nga këto shkelje, KLSH ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Sarandë për ish-drejtorin e kësaj agjencie për periudhën Janar 2011-Gusht 2011, me iniciale R.T., dhe për ish-drejtorin me iniciale V.K., në periudhën Shtator 2011- Shtator 2013.
Dy këta ish-drejtues janë kallëzuar penalisht me akuzën e shpërdorimit të detyrës për legalizimin e objekteve informale mbi monumentet arkeologjike, për cënim të integritetit të Monumenteve të Kulturës, si dhe shkaktimin e mungesës së të ardhurave për fondin e kompensimit monetar subjekteve ish pronarë në buxhetin e shtetit, si dhe për moskryerjen e procedurave ligjore gjatë procesit të legalizimit.
Po kështu dhe për 5 drejtuesit me inicialet L.C, M.N, G.Z, P.P dhe B.J, gjatë auditimit kanë rezultuar shkelje sa i takon "zbatimit të procedurave ligjore për mbledhjen përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje, në shqyrtimin dhe miratimin e kërkesave për objektet informale dhe në përgatitjen dhe dërgimin e dokumentacionit për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga shteti tek posedues i ndërtimit pa leje".
Sipas njoftimit të KLSH, këta ish-drejtues janë kallëzuar penalisht edhe sa i takon parregullsive në plotësimin e dosjeve, duke legalizuar objekte në kundërshtim me ligjin. Në 148 rate, për një sipërfaqe prej 15 216.2 m2 janë arkëtuar më pak të ardhura, në vlerën 158 324 960 lekë, duke shkaktuar dëm në buxhetin e shtetit.
Shkëlje janë konstatuar edhe në 60 raste për sipërfaqen 1889.34 m2, ku sërish janë arkëtuar më pak të ardhura, në vlerën 6,963,959 lekë, duke shkaktuar dëm në buxhetin e shtetit, pra të ardhura të munguar për fondin e kompensimit monetar të ish pronarëve.