Rritet numri i personave që kërkojnë ndihmë shëndetësore në Tetovë

2015-08-21 1

Numri i personave që kërkojnë ndihmë mjekësore pranë Shtëpisë së Shëndetit në Tetovë, është rritur për 20%. Shkak, është ajri i ndotur. Pacientët paraqiten për probleme me frymëmarrjen dhe organet respiratore. Mjeku Bekim Ismaili pranoi shifrat për ALSAT, duke iu bërë apel qytetarët të shmaning sa më shumë daljet në qiell të hapur.

"Shkaku i ndotjes së ajrit që ditëve të fundit e kemi ne në qytetin tonë, është sado pak i rritur numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë edhe atë apostafat shkaku i ndryshimit të ajrit, ndotjes së ajrit dhe vijnë më tepër ata pacientë që vuajnë nga sistemi respirator dhe kardiovaskular por nuk do të thotë se kjo nuk i tangon apo i prek edhe pacientët tjerë sidomos fëmijët dhe pleqët të cilët nuk kanë ndonjë problem respirator mirëpo shkaku i ndotjes së ajrit vijn deri te ndonjë komplikim apo përkeqësim i gjendjes shëndetësore dhe vijnë tek ne për të kërkuar ndihmë", tha Bekim Ismaili, mjek në Shtëpinë e shëndetit në Tetovë.

Banorët shprehen të shqetësuar nga ndotja e ajrit. Ata kërkojnë që institucionet përkatëse të shtrëngojnë masat, dhe jo thjeshti t'i paraqesin ato si paralajmërime.

"E shifni edhe ju, vet e din vet edhe shteti, bërllogu digjet rrugëve i ndezin ministria le të ndërmerr dicka le të ndalen këto helmime që bëhen ma shumë edhe ndërmarrjet e bëjnë këtë."

"Ditëve të fundit ndotja e ajrit ndikon shumë negativisht tek qytetarët sidomos të moshuarit fëmijët e kështu me rradhë. Është e patjetërsueshme që ministria e Ekologjisë të ndërmerr hapa konkret.kohës së fundit kemi dëgjuar se diskutohet për këtë por ska asgjë konkrete."

"Na pengon si jo".

"Duhet të zvogëlohet pak numri i veturave", thonë banorët.

Me ankesa të shumta ditëve të fundit kanë dalë edhe shoqatat ekologjike të Tetovës.

"Është e vërtetë se me rritjen e numrit të veturave mos pastrimin e rrugëve mos mbajtjen e higjienës, sepse çdo person siç e mban higjienën personale mban edhe higjienën e oborrit, rrethit vet sepse ndotja e ambientit nuk ndodh për një ditë. Ata e kanë për obligim dhe e dinë detyrën e vet derisa ju jeni brengosur dhe çdo kush sot brengoset mendoj se duhet të brengoset edhe ministria që ka të bëjë me ekologjinë", u shpreh Miftar Memeti, Drejtues i shoqatës joqeveritare "Sytë e Sharrit".

Sipas matjeve të fundit, grimcat PM10 janë shumëfishuar dhe prezenca e tyre në ajër është 100 herë më e madhe se sa duhet të jetë. Të dielën, një grup qytetarësh të organizuar përmes rrjeteve sociale, kanë paralajmëruar një protestë kundër ndotjes së ambientit, e sidomos kundër gjigantit metalurgjik Jugokrom. Protesta pritet të mbahet në Tetovë ndërsa prezencën e tyre, sipas rrjetit social facebook, e kanë miratuar mijëra banorë të Pollogut. Bashkim Sulejmani

Free Traffic Exchange