Ndotja e ajrit vazhdon të jetë preokupim kryesor

2015-08-21 0

Shfrytëzimi i transportit publik dhe përdorimi më i reduktuar i makinave nga qytetarët janë shpëtimi i vetëm nga ajri i ndotur në Shkup dhe qytetet tjera që po ballafaqohen me këtë problem. Kështu sot rekomandoi ish Ministri i Ekologjisë, Vlladimir Xhabirski. Sipas tij, fajtor kryesor për gjendjen alarmante me ajrin në kryeqytet janë qytetarët dhe vetëdija e dobët e tyre.

"Nëse do ti shfrytëzonim të mirat e autobusëve të rinj, dhe të hiqnim dorë nga komoditeti ynë që të drejtojmë makinat tona çdo mëngjes, ne vërtet do të japim kontribut të madh dhe tani nuk do të pyesnim ministrin apo dikë tjetër pse situata me mjedisin jetësor, në momente të caktuara klimatike është e tillë siç është!", tha Vlladimir Xhabirski, ish Ministër i Ekologjisë.

Xhabirski i pyetur nga gazetarët se me çka kishte ardhur në takimin e sotëm me ministrin aktual Abdilaqim Ademi, tha se kishte shfrytëzuar makinën e tij personale, pasi takimi e diktonte përdorimin e saj.

"Unë erdha sot me veturë deri këtu, por unë shfrytëzojë edhe alternativa tjera për transport. Duke pasur parasysh dinamikën e caktuar për sot, unë e kisha patjetër të vij me veturë deri këtu", tha Vlladimir Xhabirski, ish Ministër i Ekologjisë.

Ndërkohë Ministri i Ekologjisë, Abdilaqim Ademi, tha se masat e propozuara dhe që janë në fuqi të Qeverisë, vlejnë njësoj sikur për Shkupin, ashtu edhe për Tetovën, Kërçovën dhe Manastirin.

"Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me kryetarët e këtyre komunave dhe propozohen aktivitete konkrete, siç është ndalesa për qarkullim për automjetet e rënda, ndalesa që të mos punohet para orës 11 dhe pas orës 17 në ambiente të hapura, rekomandimet për pastrimin më intensiv të rrugëve dhe një sërë aktivitetesh tjera", u shpreh Abdilaqim Ademi, Ministër i Ekologjisë.

Por qytetarët dhe shoqatat e ndryshme ekologjike kanë akuzuar ministrinë ekologjisë për jofeikasitet në luftën kundër ndotjes së ajrit. Ato thonë se masat e miratuara ende nuk kanë gjetur zbatim ndërsa nën mbrojtje janë vënë kapacitetet e mëdha industriale që vlerësohen edhe si ndotësit më të mëdhenj të ajrit. Valmir Kuçi

Free Traffic Exchange