A1 Report - Xhelal Mziu, gjoba edhe per kompanine "Albavia"

2015-08-21 0

TIRANE- Megjithëse njësia hetimore Task-Forcë, pranë prokurorisë së Tiranës kishte dërguar në adrresë të kryebashkiakut të Kamzës, dy fletë-thirje për marrjen e deklarimeve të tij, lidhur me hetimet që kjo prokurori po kryente për tenderin e rrugës "Zgjimi", Xhelal Mziu nuk është paraqitur në asnjë rast. Nuk dihen shkaqet e refuzimit të kryebashkiakut për tu paraqitur dhe marrë në pyetje, por edhe pse ai nuk ka dhënë pretendimet e tij, prokuroria ka vendosur ti drejtohet gjykatës së Tiranës me një kërkesë, duke kërkuar arrestimin e kryebashkiakut të Kamzës Xhelal Mziu.

Ky i fundit dhe pas arrestimit nga strukturat e policisë, nuk ka pranuar të japë asnjë deklarim lidhur me çështjen duke kërkuar të takohet me avokatin e tij mbrojtës. Ndaj Xhelal Mziut, njësia hetimore Task-Forcë ka ngritur akzuën e "Shpërdorimit të detyrës" dhe "Pabarazisë në tendera apo ankande". Ndërkohë pritet që në ditët në vijim prokuroria e Tiranës do të marrë në pyetje të arrestuarin Mziun, duke i kërkuar këtij të fundit shpjegime lidhur me veprimet e kundraligjshme të kryera prej tij në tenderin e rrugës "Zgjimi" që shtrihet nga Valiasi në Laknas.

Taktika e Mziut.
Kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu, kishte zgjedhur një taktikë të veçantë për të mbajtur sa më larg tenderave dy kompanitë e ndërtimit "Gjoka Konstruksion" dhe "Albavia". Të dyja kompanitë kanë zhvilluar një sërë procese gjyqësore me bashkinë Kamëz, pasi Mziu në cilësinë e kryebashkiakut, ka vendosur taksa të pa drejta në ngarkim të dy kompanive, madje në disa raste u ka kërkuar dhe bankave të nivelit të tyrë të sekuestronin llogaritë bankare të kompanive në fjalë. Kjo taktikë, kryhej me qëllim bllokimin e dy firmave si dhe pengimin e tyre për të marrë pjesë në tenderat që kryheshin nga institucionet shtetërore, përfshirë këtu dhe bashkinë Kamëz.

Vetëm kompanisë "Gjoka Konstruksion" i ka vendosur një gjobë prej mbi 115 milion lekë të vjetra, ndërkohë për kompaninë "Albavia", gjoba ka qënë në shifrën prej 117 milion lekë të vjetra. Të dyja rastet janë kundërshtuar në gjykatën e Tiranës dhe fituese kanë dalë subjektet private. Por pavarësisht vendimeve gjyqësore kryebashkiaku në kundërshtim me ligjin ka vijuar të kërkojë bllokimin e llogarive bankare dhe vendosur taksa të padrejta ndaj dy kompanive të sipërcituara.