Ministria heshtë, BFI ankohet, fiton Kamçevi

2015-08-21 1

Vazhdon heshtja në Ministrinë e Transportit lidhur me akuzat që zëvendësi i po kësaj ministrie Xhelal Bajrami i bëri qarqeve por edhe vet ministrit, të cilët sipas Bajramit janë fajtorët kryesorë për përjashtimin e BFI-së nga ankandi për blerjen e tokës në Kala. Nga kabineti i Mile Janakievskit thonë se ministri nuk do të komentojë deklaratën e tillë të zëvendësit të tij, të cilën e cilësojnë si politike. Ata vetëm thonë se refuzimi i BFI-së për pjesëmarrje në ankand ka qenë për shkak të parregullsisë në aplikim. Toka që i është premtuar BFI-së, i është shitur biznesmenit Orce Kamçev. Bëhet fjalë për dy parcela, njëra rreth 3000, ndërsa tjetra rreth 1300 metra katrorë, që kanë kaluar në pronësi të dy kompanive të Kamçevit, "Grafiçki Centar" dhe "Internet Grup". Kamçev ka paralajmëruar se do ti shfrytëzojë parcelat për ndërtimin e një qendre të madhe kulturore. Nga ana tjetër Bashkësia Islame vazhdon të mos pajtohet me padrejtësinë, duke akuzuar funksionarët shqiptarë si të paaftë. BFI nëpërmjet një komunikate ka kërkuar sot ballafaqimin e argumenteve me përfaqësuesit shqiptarë në një debat televiziv.

"Bashkësia Fetare Islame e RM, ditët e fundit në mënyrë të qartë protestoi ndaj tradhëtisë e cila iu bë nga institucionet përkatëse lidhur me lokacionin në Kalanë e Shkupit, për të cilën BFI-ja disa vite me radhë ka bërë investime për blerjen e tij, nga ana tjetër opinioni herë pas here dëgjon deklarata të pakontrolluara nga persona zyrtar. Nisur nga kjo BFI kërkon ballafaqim të argumenteve në një debat publik me palët e involvuara si z. Abdulhakim Ademi, z. Tahir Hani, dhe z. Xhelal Bajrami pse jo edhe Ministrin Janakievski Propozojmë që debati të zhvillohet brenda tri ditësh në TVM2, TV Era ose Alsat-M. Në rast të mosmbajtjës së debatit në fjalë, BFI e RM do të detyrohet që zbardhjen e këtij rasti ta bëj përmes formave tjera", thuhet në reagim.

BFI-ja që prej kohësh kishte marrë premtim se toka në Kala do ti ndahet këtij Institucioni të lartë fetar për ndërtimin rezidencës. Herën e fundit, vetëm 2 muaj më parë zv/ministri i transportit Xhelal Bajrami në takim me kreun e BFI-së Sulejman Rexhepi kishte deklaruar se çështja e truallit është punë e kryer dhe se e njëjta do ti ndahet Bashkësisë Islame. Benjamin Arifi

Free Traffic Exchange