Ivanov fjalim lamtumirës para deputetëve

2015-08-21 1

Pavarësisht bllokadave dhe ultimatumeve që vijnë nga fqinji jonë jugor, Maqedonia do të vazhdoj rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Kështu ka theksuar në fjalimin e fundit vjetor presidenti Gjorge Ivanov. Sipas tij, ultimatumet e Athinës zyrtare jo vetëm për emrin e shtetit por edhe për identitetin janë si rezultat i mungesës së vullnetit për fqinjësi të mirë. Pavarësisht kësaj, ai beson se vetëm përmes dialogut dhe ndihmës, e jo pengesës mund të arrihet deri te zgjidhja e përbashkët. Maqedonia është realitet evropian dhe presim që edhe Greqia të sillet në mënyrë evropiane, ka theksuar Ivanov. Sa i përket raporteve me Bullgarinë, ai shprehu bindje se keqkuptimet e këtilla do të tejkalohen.

"Gjatë mandatit tim vazhdimisht kam theksuar se Maqedonia është e gatshme për zgjidhje të pranueshme të përbashkët, zgjidhje në suaza të rezolutave të OKB-së, marrëveshja e përkohshme dhe vendimi i gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë. Çështja për identitetin nuk është pjesë e këtij kuadri. Identiteti nuk rregullohet me akt të shënuar në një copë letër. Identiteti nuk mund të blihet, vidhet apo të falsifikohet. Vazhdimisht theksoj se nuk do të lejojmë ndryshim të identitetit në çfarë do aspekt", u shpreh Gjorge Ivanov, president.

Në paraqitjen e tij vjetori, Ivanov foli edhe për Marrëveshjen e Ohrit. Sipas tij dekada e dytë e kësaj marrëveshje duhet të fokusohet drejt realizimit të obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje pa sqaruar se sa institucioni që ai drejton ka respektuar këtë dokument. Sipas tij brengosës janë dukuritë e mos durimit ndëretnik tek të rinjtë. Dialogu dhe respektimi i ndërsjellë mes religjioneve janë të domosdoshme për mirëkuptim, ka thënë Ivanov.

"Gjatë mandatit tim, shënuam 10 vjetorin e M.O. e cila u bë pjesë e Kushtetutës së Maqedonisë. Marrëveshje, realizimi i së cilës u vlerësua pozitivisht. Megjithatë, institucione dhe procedura të dala nga ajo, duhet ta plotësojnë funksionin e tyre. Dekada e kaluar ishte dekadë e të drejtave, dekada e dytë e M.O. është dekadë e të drejtave por edhe e obligimeve të përbashkëta për të gjithë ne. Të drejta dhe obligime që dalin nga vetëdija për atë se si duhet të jemi si njerëz që të jetojmë në pajtueshmëri njëri me tjetrin", deklaroi Gjorge Ivanov, president.

Në fjalimin e tij nuk munguan as problemet të cilat u paraqitën në planin e brendshëm politik të cilat sipas presidentit, ndodhën si rezultat i demokracisë relative që nënkupton se Maqedonia akoma nuk është plotësisht imune ndaj problemeve të caktuara. Paraqitja vjetore e presidentit Ivanov ishte fjalimi i fundit i tij në këtë mandat presidencial. Gjyltene Rexhallari

Free Traffic Exchange