TIRANE- Paratë që Rezart dhe Anika Taçi morën nga shitja e kompanisë ARMO kanë kaluar, sipas dokumentit të Antikrimit Ekonomik, menjëherë në duar të ndryshme të gjithë familjarëve të tij, për të kryer evazionin fiskal apo për t'i fshehur ato.
Në dokument raportohet se në kohën kur është kryer shitja familjarët njëkohësisht kanë përfituar dhe kanë tërhequr nga llogaritë e tyre bankare shifra të mëdha në euro, me justifikimin se do të blinin prona të patundshme çka nuk ka rezultuar e vërtetë.
Kjo është kryer nëpërmjet rrugëve të ndërlikuara, por që kanë lënë gjurmë në sistemet bankare dhe janë gjurmuar nga organet hetimore të shtetit. Po kështu është përdorur për këtë qëllim edhe një sigurim për "humbje malli", ku në lojë janë futur subjekte ndërkombëtare, të cilat gjithashtu janë nën hetim. E gjithë kjo skemë ka patur si qëllim shmangien e detyrimeve, pas blerjes së kompanisë së naftës për shumën 50 milionë euro nga ana e një kompanie jo shumë të njohur, të regjistruar në Virxhin Island, por pas së cilës duket se kanë qenë subjekte të caktuara nga Azerbajxhani.
Çështja ngrihet tani se në rrugë të ndryshme, ky grup biznesi ka "hedhur valle" nën hundën e shtetit për vite me rradhë, madje duke e trajtuar si një "investitor strategjik".
Në fakt, ai ka kryer veprime dhe transaksione, që vetëm po të mos doje nuk e shihje që ishin të dyshimta. Sipas dosjes së përgatitur, del se ndër veprimet e tij përfshihen mosdeklarimi i shitjeve pranë organeve tatimore, mosshlyerje e detyrimeve tatimore dhe gjobave, çka ka të bëjë me evazionin fiskal.