TIRANE- Partia Socialiste ka mbledhur grupin parlamentar për të diskutuar në lidhje me pr/buxhetin e 2014 dhe paketën e re fiskale.
Për më shumë se një orë fjalim, kryeministri Rama njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste mbrojti pr/buxhetin e vitit të parë të qeverisjes së tij si dhe paketën e re fiskale, të cilat, siç tha ai u hartuan të "kushtëzuara nga domodoshmëria për tu përballur me një katrahurë, dhe jo në kushtet e një vendi normal."
Rama tha se buxheti përmes mbështetjes së FMN-së jep qartë mesazhe dhe është i nevojshëm për të vënë në lëvizje mekanizimin e ekonomisë si dhe për të nxitur punësimin.
"Kemi trashëguar katrahurë financiare dhe një vend të gjunjëzuar financiarisht me një mori borxhesh. Në 99 ditë kemi bërë për Shqipërinë zgjidhjen e duhur për ndalimin e hemoragjisë por dhe rimëkëmbjen e ekononisë së familjarëve.... Pr/buxheti është solid dhe siguruam vënien në jetë të një sistemi të ri taksimi që do i kthejë frymën e mbetur në vend dhe shmangëm mundësinë reale të një programi të tipit austeriteti që do të sillte ulje rrogash dhe ulje investimesh siç ka ndodhur në botë dhe ndërtuam një program fleksibël rritje ekonomike që vitin tjetër do na japë shenjat e parë të daljes nga asfisikia"- nënvizoi kryeministri.
Referuar nivelit të lartë të borxhit shtetëror, Rama tha se qeveria e re ka arritur të "çmontojë minat me sahat që do të plasnin njëra pas tjetër duke hedhur në erë urat e së ardhmes çka do të kthenin situatën e rënies së piramidave në '97-n. "
"Nëse do t'i shtojmë 100 milion $ investime në projektet e qeverisjes vendore dhe 665 milion $ investime të tjera, buxheti i 2014-ës, që është një buxhet i kondicionuar nga domosdoshmëria për t'u përballur me një katrahurë të trashëguar, jo vetëm është buxheti më i madh, por është buxheti që injekton drejtpërdrejtë në ekonomi për të vënë në lëvizje makineritë e saj, duke i shërbyer edhe hapjes së vendeve të reja të punës", theksoi Kryeministri.