LASH-i përshëndet ndryshimet rreth testimit ekstern

2015-08-21 0

Lidhja e Arsimtarëve shqiptarë në Maqedoni (LASH) i ka mirëpritur ndryshimet e fundit për testimin ekstern për nxënësit e shkollave të mesme. Kryetari i LASH-it Nuhi Dardhishta tha për ALSAT M se në këto ndryshime doemos duhet të përfshihen edhe pyetjet, por kërkon që pyetjet jologjike të largohen nga testimi ekstern.

"Ajo ka qenë edhe kërkesë e LASH-it, që gjitha pyetjet dhe përgjigjet t'i kenë nxënësit para kohe dhe Ministria atë edhe e ka bë me ndryshimet e ligjit pra, që 30 ditë përpara t'i dinë pyetjet, por ne kërkojmë që të japin edhe vërejtje që ato pyetje që nuk janë profesionale, pra që kanë gabime të shumta, ato pyetje të mos ju bien në testimin ekstern",deklaroi Nuhi Dardhishta, kryetar i LASH-it.

Madje nga LASH-i kërkojnë që testimet eksterne të kontrollohen nga një komision i jashtëm.

"Nuk mund të kemi testim real ekstern me komision intern. Kërkojmë që komisionet të jenë ekstern, pra ata komisione të njëjta që janë formulu te një shkolle , t'i dërgojnë nëpër shkolla të ndryshme", u shpreh Nuhi Dardhishta, kryetar i LASH-it.

Me ndryshimet e fundit që i bëri Ministria e Arsimit në pjesën e testimit ekstern, pyetjet do të bëhen publike për nxënësit 30 ditë para provimit, ndërsa për lëndët, nxënësit do të mësojnë 3 ditë para mbajtjes së provimit. Ndryshimet e fundit në testimin ekstern erdhën si pasojë e shumë gabimeve në formulimin e pyetjeve të palogjikshme deri tani si dhe pas vërejtjeve dhe reagimeve të shumta që u bënë nga nxënësit dhe arsimtarët. Alsat-M