TIRANË - Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, lajmëroi në një konferencë për shtyp, rritjen e buxhetit për shëndetësinë për vitin 2014 me 9.1% krahasuar me vitin 2013.
"Kjo është rritja më e lartë e buxhetit për shëndetësinë e mbi 10-viteve të fundit, duke pasqyruar në këtë mënyrë, programin dhe angazhimet e qeverisë në fushën e shëndetësisë", deklaroi ministri i Shëndetësisë.
Buxheti i shëndetësisë për vitin 2014 është 38,7 miliardë lekë ndërkohë që në vitin 2013 buxheti i shëndetësisë ishte 36,3 miliardë lekë) Ky buxhet është sa 2,77% e PBB-së, niveli më i lartë i shpenzimeve publike për shëndetësinë në më shumë se 10 vitet e fundit.
Në katër vitet 2009 -- 2013 buxheti i shëndetësisë u rrit me 18,1%, apo me 56 milionë USD dhe një pjesë të rritjes, pa dyshim, e ka ngrënë vendosja e taksës së shëndetit me 10%.
Sipas paraqitjes që u bë në MSH, ky buxhet është nominalisht 6,6% më i lartë se buxheti i vitit 2013. Shtesa në vlerë absolute vetëm për një vit është rreth 24 milionë USD, apo sa 43% e asaj që u rrit gjithsej në katër vitet e mëparshme.
Por, nëse merret në konsideratë heqja e TVSH-së për barnat dhe materialet mjekësore me efekt nga data 1 prill 2014, rreth 900 milionë lekë që do të shpenzoheshin për taksa do të mbeten në dispozicion të plotësimit të nevojave për barna dhe materiale mjekësore. Në këtë kontekst, rritja reale e buxhetit të shëndetësisë në vitin 2014 kundrejt
vitit 2013 është 9,1%.
Institucionet shëndetësore publike kanë borxhe të papaguara për barna, materiale mjekësore, materiale mbështetëse dhe shërbime për rreth 4,4 miliardë lekë, nga të cilët, 3,4 miliardë janë vetëm në QSUT. Praktikisht ky borxh është sa shpenzimet vjetore të 1,5 muajve të gjithë shpenzimeve spitalore të vendit. Kjo është gjendja që qeveria e
mëparshme e la shëndetësinë, përveç mungesave në barna dhe me infrastrukturë spitalore të rrënuar.