RUSI - Presidenti rus Vladimir Putin firmosi ditën e premte dekretin për faljn e ish-manjatit të naftës Mikhail Khodorkovsky. Gjatë një konference për shtyp në World Trade Center të Moskës ditën e enjte, Putin surprizoi të gjithë duke thënë se do të nxirrte së shpejti një dekret, për të falur një nga armiqtë e tij të vjetër.
Khodorkovsky, një herë njeriu më i pasur në Rusi, u arrestua në vitin 2003 për evazion fiskal dhe për vjedhje. Në vitin 2010 ai u gjykua dhe u shpall fajtor për pastrim parash. Ish-manjati i naftës do të qëndronte në burg deri në gusht të vitit 2014 pasi dy gjykata ruse ia ulën dënimin.
Putin nënvizoi faktin se mamaja e Khodorkovsky është e sëmurë, kështu që duhej të merreshin parasysh të gjitha rrethanat.
Nuk dihet ende se kur Khodorkovsky do të dalë zyrtarisht nga burgu, por avokati i tij tha për agjensitë ruse se lirimi i klientit të tij mund të ndodhte edhe brenda ditës së premte.