Pengesat administrative, shkaku i ngecjes së bashkëpunimit Maqedoni-Shqipëri

2015-08-21 1

Pengesat e shumta administrative dhe ligjore janë shkaku i ngecjes së bashkëpunimit ekonomik të Maqedonisë dhe Shqipërisë. Kjo u tha në biznes forumin e sotëm në organizim të Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë dhe Shqipërisë. Takimi kishte për qëllim, identifikimin e pengesave dhe prezantimin e tyre qeverive të dy vendeve, me qëllim lehtësimin e biznesve mes firmave të Maqedonisë dhe të Shqipërisë. Forumi realizohet në kuadër të programit IPA për bashkëpunim ndërkufitar mes dy vendeve dhe projektit "Përmirësimi bashkëpunimit afarist në rajonin ndërkufitar".

"Barrierat janë të shumta. E para, nevojitet thellimi i besimit mes firmave sepse është i nevojshëm për bashkëpunimin ndërkufitar, ka pengesa administrative për të cilat informojnë firmat, pastaj pengesa financiare sepse çdo tregti është investim në vete, pengesa doganore etj. Por shpresojmë se me këtë projekt këto barriera do i identifikojmë dhe pasi ti analizojmë do të japim rekomandimet e duhura", tha Gordana Stevkovska- Veljanovska, drejtor i projektit IPA.

Vërejtje të njëjta, kanë edhe përfaqësuesit e Sindikatës së Odave Ekonomike të Shqipërisë.

"Ka gjëra që nuk shkojnë, neve kemi identifikuar mjaft probleme nga bizneset në rastet konkrete në lidhje me doganat me taksat dhe ne jemi në fazën e mbledhjes së këtyre problematikave dhe një nga qëllimet e projekteve është përkthimi i këtyre problemeve në propozime konkrete qeverisë apo strukturave lokale, që pastaj të përkthehen në amendime ligjore apo në rregullime ligjore", u shpreh Endrit Kapaj, Menaxher për bashkëpunim ndërkufitar.

Ky projekt financohet nga Bashkësia Evropiane, në kuadër të bashkëpunimeve ndërkufitare dhe zhvillimit të bizneseve. Bashkim Sulejmani