Dita e tretë nga debati për buxhetin e vitit 2014 thuajse u zhvillua në sallë të zbrazët. Deputetët e PDSH-së theksuan në debat se ky buxhet jo vetëm që nuk është zhvillimor, por është edhe diskriminues për shqiptarët, ndërsa kolegët e tyre të BDI-së në pushtet thanë se nuk u janë pranuar amendamentet e tyre pasi pushteti tashmë i ka të njëjtat projekte që propozohen nga opozita.
"Politika e gabuar ekonomike e kësaj qeverie, mungesa e investimeve dhe papunësia e madhe kanë përkeqësuar standardin jetësor të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. Për çdo vit kjo qeveri i fut në borxhe të mëdha gjeneratat e tanishme dhe ato të ardhshme, gjithnjë me arsyetimin se janë huamarrje të volitshme, ndërsa nuk ka huamarrje të volitshme, sidomos sepse me ato mjete ndërtohen përmendore, në vend se të hapen vende të reja pune. Edhe në raportin e fundit të KE-së për Maqedoninë përmendet rritja e borxhit të jashtëm dhe atij të brendshëm", tha Sadije Ilazi, PDSH.
"Argumentet e juaja se nuk janë pranuar amendamentet e PDSH-së, ne nuk pamë nevojë se duhet të përkrahen amendamentet e PDSH-së, për shkak të faktit se të gjitha projektet për të cilat kishit amendamente janë pjesë e programit qeveritar dhe kjo është arsyeja jonë pse nuk i kemi pranuar. Për shkak të faktit se të gjitha projektet të cilat ju i keni parashikuar, janë pjesë e programit qeveritar dhe propozim buxhetit për vitin 2014", u shpreh Rexhail Ismaili, BDI.
Ndërkohë as sot nuk munguan zënkat mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së për projektin 'Shkupi 2014'.
"Nuk mundet që shteti të huazojë para nga jashtë për rrugët, ndërsa mjetet e Buxhetit t'i shpenzojë për budallallëqet që janë në 200 metra katror. Ne i fusim në borxh gjeneratat e ardhshme për rrugë, ndërsa paratë e Buxhetit shpenzohen për kuaj dhe pamje panoramike", deklaroi Goran Sugarevski, LSDM.
"Buxheti i këtij viti na jep të drejtë të jemi të sigurt se viti 2014 do të jetë vit i suksesshëm pasi 22.5 miliardë denarë janë parashikuar për investime kapitale, që do të thotë se janë 20% më shumë se vitin e kaluar. Mjete këto që do garantojnë rritje ekonomike", tha Dimitar Stevanaxhia, VMRO-DPMNE.
Në fillim të debatit të sotëm, derisa deputetja Ana Loshkova nga VMRO-DPMNE-ja sqaronte se buxheti për vitin e ardhshëm është zhvillimor, në Kuvend u paraqit terr për shkak të ndaljes së energjisë elektrike.
Debati rreth buxhetit për vitin e ardhshëm duhet të përfundojë deri të premten. Natasha Stojanovska