A1 Report - Vodafone Albania ekspozite me punime te femijeve me aftesi ndryshe

2015-08-21 2

TIRANE - "Një ekspozitë e veçantë nga artistë të veçantë" është projekti më i ri i fondacionit Vodafone Albania i cili çelet këtë pasdite në orën 18:00 në Galerinë e Arteve në Tiranë. Rreth 70 punime të larmishme të 770 fëmijëve me aftësi ndryshe nga puna një vjeçare me artistin Xhik Domi do të prezantohen ditën e sotme ku do të jenë të pranishëm ministra, ambasadorë, familjarë, donatorë dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme.

Drejtori ekzekutiv i Vodafone Albania Albi Greva u shpreh në lidhje me këtë iniciativë:

"Sot këtu jemi për disa artistë shumë specialë dhe kjo e bën këtë event shumë më të veçantë që mendoj unë se është një praktikë shumë e mirë që do të nxisë shumë njerëz për të menduar rreth kësaj ekspozite. Këtu kemi ekspozimin e një numri veprash të kryera nga fëmijët me aftësi ndryshe, dhe jo vetëm nga Tirana por nga shumë qytete të Shqipërisë. Është punuar për këtë nisëm prej 12 muajsh ditë pas dite, qytet pas qyteti, në mënyrë që të përdorim artin për edukimin edhe zhvillimin e fëmijëve me nevoja speciale", u shpreh Drejtori Ekzekutiv i Vodafone Albania, Albi Greva.
"Unë gjatë programit që kisha, pashë që fëmijët kur vinin ditën e nesërme gati i harronin ato që kishin mësuar dhe duke i futur prindërit si vullnetarë aktiv në këtë projekt, përfitues indirekt të këtij projekti, më bënë mua të mundur që të arrija këto rezultate kaq të mira", tha artisti Xhik Domi.
Kjo ekspozitë, e cila përfshin punimet më të mira të realizuara gjatë një viti do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri më datë 21 dhjetor.