Përqendrimi i lartë i grimcave të dëmshme në ajër po kthehet në kërcënim serioz për shëndetin e qytetarëve të Shkupit. Autoritetet duhet të marrin përgjegjësi për parandalimin e ndotjes së ajrit dhe fajin për këtë mos t'ia hedhin njëri-tjetrit. Kështu u shprehën sot një grup i qytetarëve të cilët dërguan porosi deri tek institucionet që urgjentisht të reagojnë. Aktivistët që sot protestuan në qendër të Shkupit porositën politikanët t'i lënë makinat dhe të shfrytëzojnë autobusët. Keta aktivistë shpërndanë edhe maska mbrojtëse për qytetarët.
"Ne nuk mund të shpërndajmë 600 mijë maska, dhe gjithashtu jemi të vetëdijshëm se këto maska kryejnë vetëm 20 për qind të punës, nuk mund të parandalojnë të gjitha helmet dhe grimcat e dëmshme, por ne dëshirojmë që të ngremë vetëdijen e qytetarëve, të iniciohen kërkesa të reja dhe të provokohet reagim i organeve kompetente në të cilat ne besojmë se përfundimisht dikush do të kapet e ta zgjidhë këtë problem", u shpreh Nikolla Pisarev, lëvizja qytetare kundër ndotjes.
Qytetarët e anketuar thonë se vënia e maskave mbrojtëse më shumë ka efekt në ngritjen e vetëdijes tek qytetarët se sa që mbron ata. Sipas tyre tani më prej disa viteve në Shkup ajri sistematikisht është i ndotur dhe ndokush duhet të përgjigjet për këtë situatë.
"T'ua them të drejtën nuk na nevojiteshin maska të tilla por tani po, çfarë të bëjmë. Ajri është shumë i ndotur, në veçanti në Shkup ajri është tej mase i ndotur".
"E morra këtë maskë pasi tani më disa vite në Shkup ajri është shumë i ndotur, na jepen informata por asnjëherë se sa është saktë është i ndotur mbi normalen, për 6, 10, apo 15 herë...Unë do tu them para dy ditëve nuk mundja as dritaren ta hap, pasi brenda ndjeja ajër që kundërmon, nuk mund të durohej, kjo është arsyeja pse sot unë morra një maskë".
"Për çdo rast faji qëndron edhe tek autoritetet por edhe tek vetë qytetarët pasi ne nuk mbajmë llogari. Po importohen automjete të vjetra që shkaktojnë ndotje të madhe dhe në çdo të dytën veturë ka vetëm nga një njeri dhe kjo nuk është patjetër të jetë kështu".
"Ajri është i ndotur shumë, po dëgjojë nga mediat se ndotja është edhe për 250 herë më i ndotur nga normalja. Kështu që për këtë maskë u falënderojë, na nevojitet. Apelojë që të gjithë qytetarët të mbajnë kur kemi kushte të tilla në qytet".
Alarmi për ndotjen e ajrit në Shkup u ndez tre ditë më parë kur autoritetet kishin regjistruar grimca pm10 edhe atë nga 90 deri 180 mikrogram për m2 që është shumë larg kufijve normal. Valmir Kuçi