A1 Report - Vlorë, shkaterrohet kompleksi 'Jon' 15 dite per heqjen e inerteve

2015-08-21 4

VLORE- Tre ditë pas shpërthimit me tritol sot është shkatërruar tërësisht Kompleksi "Jon" në zonën e ujit të Ftohtë në Vlorë.

Pjesë të të dyja godinave, pjesë përbërëse të kompleksit që i mbijetuan shpërthimit me 300 kg tritol të vendosur në 1500 vrimat e hapura në kollonat e betonit mesditën e së shtunës u rrëzuan gjatë ditës së sotme, nga fadromat dhe matrafikët e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar.

Kollonat e padëmtuara nga sasia e tritolit gjatë diteve te fundit janë këputur, nga një eskavator që ishte i paisur me një "gërshërë", e cila arrinte të këpuste në brendësi të objektit kollonat.

Për gjatë gjithë kësaj kohe në krye të këtij operacioni ka qëndruar kreu i INUK Zyhdi Dajti, i cili ka drejtuar brigadat e punonjësve, lidhur me rrëzimin e kompleksit "Jon".

Ndërkohë që njëherësh, puntorët kanë nisur në pjesën e shembur totalisht të largojnë interenet e pallatit, me qëllim pastrimin dhe rehabilitimin në gjëndjen e mëparshme të zonës.

Pritet që pikërisht në truallin ku është ndërtuar pallati në pronësi të Xhuvi Sharxhit dhe Xhafer Isufit, ky i fundit vjehrri i kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha, të ndërtohet shëtitorja e qytetit të Vlorës.

Kreu i INUK Zyhdi Dajti ka deklaruar se tashmë me shembjen e plotë të godinës 8 katëshe pastrimi i zonës nga inertet dhe hekurishtet pritet të kryehet brenda 15 ditësh.