A1 Report - Bonino, armet kimike siriane ne muajin Janar 2014 ne nje port italian

2015-08-21 0

BRUKSEL - Ministrja e jashtme italiane, Emma Bonino, ka konfirmuar ditën e sotme në Bruksel, gadishmërinë e Italisë për të pritur në një port të saj, në janar, anijen daneze, që do të transportojë armët kimike siriane dhe që do të shoqërohen nga forca norvegjeze, sipas marrëveshjes së Kombeve të Bashkuara.

Ajo ka saktësuar se zgjedhja e vendit do të bëhet pas një vlerësimi teknik, që do të bëjë ONAK (Organizata për shkatërrimin e armëve kimike), që do të vlerësojë zonat e peshkimit, madhësinë e Portit dhe largësinë apo afërsinë me qendrat e banuara.

Sipas Boninos, ONAK ka konfirmuar disponueshmërinë, për t`i paraqitur Parlamentit Italian kushtet teknike që do të përdoren për aktivitetin që do të nisë në muajin janar.

Ministrja italiane Emma Bonino ka nënvizuar gjithashtu se sipas Këshillit të Sigurisë, armët kimike duhet të largohen nga territori sirian, brenda 31 dhjetorit", ajo nënvizoi se ka edhe një problem, pasi materjali duhet të transferohet në siguri të plotë në rrugë tokësore, nga qyteti sirian i Homs në Portin e Latakia-s, një territor ku ekziston lufta civile.

Sipas Bonino-s, duke pasur parasysh rrethana të tilla, mund të pritet mbërritja e tyre në portin italian "në mes të muajit janar".

Pas mbërritjes në Itali, armët kimike siriane do të transferohen në anijen amerikane Cape Ray ku edhe do të nisë shkatërrimi i tyre.