Dështimi i vendit për të zgjidhur çështjen e emrit, si dhe për të firmosur Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, edhe këtë vit e lanë Maqedoninë pa datë për të filluar negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Zv/kryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi njoftoi se në konkluzionet e sivjetme, të cilat pritet të finalizohen nesër në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së pritet të ri-theksohet edhe angazhimi i vendit për zgjidhjen e ngërçit politik dhe reformave të tjera në fushën e administratës, gjykatave, lirisë së shprehjes, kodit zgjedhor etj. "Për momentin, konsensus lidhur me çështjen e datës për Maqedoninë nuk ka akoma për shkak të çështjes së hapur me emrin me Greqinë, dhe me Bullgarinë lidhur me marrëveshjen për fqinjësi të mirë... konstatohen sfidat që Maqedonia ka pasur gjatë këtij viti dhe ritheksohet që përqendrimi i aktivitete në periudhën e ardhshme të jetë në adresimin dhe menaxhimin e këtyre sidave", u shpreh Fatmir Besimi, zv/kryeministër për çështje evropiane. Besimi tha se nga Komisioni Evropian do të kërkohet që sërish përgatitja e një raporti progresi i jashtëzakonshëm për Maqedoninë, i cili sipas tij do t'i jap shtysë vendit që të angazhohet në reformat e mbetura për në rrugën evropiane. Nga ana tjetër Besimi nuk e shikon më pak premtues vitin e ardhshëm, për sa i përket euro-integrimeve, duke pasur parasysh zgjedhjet në Bashkimin Evropiane por edhe zgjedhjeve presidenciale në vend dhe atyre lokale në Greqi, apo edhe ndikimit që do të ketë Greqia gjatë kryesimit të BE-së. "Nëse dikush e shikon këtë kontekst, mund të vijmë në konstatim se prioriteti i zgjerimit për rajonin, vitin e ardhshëm nuk do të jetë premtues. Ne përkundrazi duhet ta mbajmë agjendën e reformave, do të jemi aktiv më këto tema dhe fqinjët e hapura me fqinjët tonë por edhe marrëdhëniet ndëretnike pasi Maqedoni vëzhgohet me një sy shumë preciz se si do ta menaxhojë periudhën që vjen", deklaroi Fatmir Besimi, zv/kryeministër për çështje evropiane. Ndërsa Maqedonia tregohet e angazhuar për zgjidhjen e çështjeve që mbajnë pezull euro-integrimin Ministri i Jashtëm Nikolla Popovski ka gjetur kohë që pikërisht në kohën kur Brukseli jep notën për Maqedoninë, të udhëtojë drejt Indisë. Po ashtu vizita e tij duket si synim dy-kahesh drejt BRICS-it, nëse kujtojmë këtu se një muaj më parë, edhe kryeministri Gruevski vizitoi Kinën për disa ditë. Situata që është shumë pak premtuese për të ardhmen evropiane të Maqedonisë nxiti zërat kohët e fundit se pushteti do të shkrinte edhe sektorin për euro-integrime. Por titullari i saj Fatmir Besimi, e quajti këtë spekulim. Sipas tij rruga evropiane e vendit është e caktuar dhe jo opsionale. Semra Jakupi