TIRANE- Të gjitha linjat e autobusëve në kryeqytet kanë zhvilluar sot një protestë 3-orëshe të lajmëruar që më parë për pagat e shoferëve dhe fatorinove. Greva nisi në orën 05:00 dhe zgjati deri në orën 08:15, gjë që shkatoi kaos në rrugët e kryeqytetit, pasi qytetarë nxitonin për të shkuar në punë apo në shkollë.
Po kështu, linjat e urbanëve, kërkojnë uljen e akcizës së naftës dhe rritjen e çmimit të biletës.
I kontaktuar nga "Shqiptarja.com" kreu i Sindikatës së Punonjësve të Transportit Urban, Zija Hasanaj, tha se shkak për nisjen e grevës është mosmarrja e pagave të shoferëve dhe fatorinove prej disa muajsh. Ndërkaq, kërkesa e sindikatës drejtuar ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekonomisë, konsiston në vendosjen e çmimeve dhe tarifave të tjera të biletës, si dhe rimbursimin e biletave të studentëve dhe personave në nevojë. "Në bazë të ligjit, Këshilli i Ministrave vendos çmimet dhe tarifat, por ato janë nën mbikqyrje të qeverisë. Kërkesat tona i drjetohen Ministrisë së Transportit dhe Ministrisë së Ekonomisë, për të bërë kërkesë qeverisë për miratimin e kërkesave tona nga Këshilli i Ministrave. Kërkesa e sindikatës është që pagat e punonjësve të merren rregullisht, si dhe të rritet çmimi i biletës, dhe të bëhet rimbursimi i tyre. Është i madh numri i personave që përfitojnë nga transporti urban falas, studentët, shtresat në nevojë. Nuk bëhet as rimbursimi i aboneve. Na kanë thënë do bëhet ndryshime, por ende asgjë", tha Hasanaj.
Sipas kreut të Shoqatës, nëse nuk marrin përgjigje për kërkesat e tyre, protestat do të përshkallëzohen, duke paralajmëruar protestë 24-orëshe javën e ardhshme, ndërsa shton se do të përshkallëzohet protesta edhe në linjat interurbane.
Mungesa e urbanëve, ka shkaktuar kaos për qytetarët që lëvizin për të shkuar në punë dhe nxënësit që po shkojnë në shkollë.