TIRANE- Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për ngritjen e një Task Force me qëllim përmirësimin e nivelit të arkëtimeve dhe uljen e humbjeve në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Ngritja e kësaj Task Force u propozua nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, në kuadër të masave emergjente që po ndërmerr qeveria për të përmirësuar situatën financiare të sektorit energjetik në vend.
Sipas ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, kjo Task Forcë do të bashkëpunojë me strukturat e CEZ Shpërndarje për të përcaktuar zonat e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, të cilat kërkojnë ndërhyrje emergjente për zbatimin e masave teknike; si dhe me institucionet e tjera shtetërore, për identifikimin dhe zbatimin e masave, në funksion të përmirësimit të nivelit të arkëtimeve të detyrimeve të energjisë elektrike.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë thekson se "marrja e masave të menjëhershme nëpëmjet ngritjes së një Task Force për përmirësimin e treguesve financiarë të shoqërisë "CEZ Shpërndarje", është rekomanduar edhe nga Banka Botërore në misionin e saj të fundit në Shqipëri, ku kërkohet mbëeshtetja e të gjithë institucioneve shtetërore si e vetmja rrugë për daljen nga kriza të sektorit".