Buxheti 2014: 280 mln euro per faturat e shtetit ndaj biznesit

2015-08-21 1

TIRANË - Këshilli i Ministrave ka miratuar të shtunën pasdite projektbuxhetin e vitit 2014. Për herë të parë, në këtë buxhet përfshihet si një zë i veçantë pagesa e detyrimeve ndaj biznesit, në masën 39 miliardë lekë.

Sipas projektbuxhetit të përgatitur nga Ministria e Financave, totali i të ardhurave parashikohet të jetë rreth 364 miliardë lekë, me një rritje prej 13%, apo 42 miliardë lekë, në raport me buxhetin e rishikuar 2013. Totali i shpenzimeve buxhetore pritet të jetë 459.5 miliardë lekë, me një rritje prej 54 miliardë lekë, apo 13%.

Ndikimin kryesor në rritjen e shpenzimeve e ka parashikimi i një zëri të ri, ai i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura me një vlerë prej 39 miliardë lekësh, nga i cili 12 miliardë lekë do të jenë detyrime të infrastrukturës dhe 22.8 miliardë lekë detyrime të tjera.