TIRANË - Saktësia e qitjes së pushkës së ujit, e cila bëri shkëputjen e telave përcjellës të energjisë nga telefoni celular tek lënda eksplozive C4, ka shpëtuar pjesë të rëndësishme të hetimit, siç janë telefoni, karta sim dhe mundësinë për fiksimin e gjurmëve të autorëve.
Kjo teksa Garda shmangu atentatin me eksploziv në makinën e prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi, në oborrin e jashtëm të Kryeministrisë, paraditen e së premtes.
Procedura e njësisë antieksploziv të RENEA-s u sqarua edhe nga ish-komandanti i kësaj njësie Thimi Prifti, gjatë emisionit Urbanika të gazetares Mirjeta Ngjela.
Fotot dhe shpjegimet e ekspertit rrëzojnë pretendimet e hedhura pas ngjarjes. Si pasojë e shpërthimit të komanduar me çekiçin pneumatik për çaktivizimin e bombës me celular ishin dëmtuar pjesë të rëndësishme të tij për zbardhjen e hetimeve.
Lënda eksplozive, siç duket dhe në fotot e siguruara nga "A1Report", është C4, e llojit pluhur, e cila është e prodhur dhe gjendej në depot e Forcave Tona të Armatosura.