Konferencë kushtuar shqiptarëve të Rekës së Epërme

2015-08-21 5

Një konferencë shkencore kushtuar zakoneve dhe dokeve të shqiptarëve të Rekës së Epërme u mbajt sot në Mavrovë. Me këtë rast, u mblodhën bashkë shkencëtarë, publicistë dhe intelektualë për të zbërthyer fenomenin e quajtur Reka e Epërme. Konferenca kishte për qëllim nxjerrjen në dritë të së vërtetës lidhur me rajonin e Rekës së Epërme si pasojë e mostrajtimit adekuat nga politikat dhe pushtetet e kohës si Mbretëria Serbe, Bullgaria, regjimi komunist dhe demokracia jo-autentike e kohës.

"Vlerësojmë se është një konferencë e qëlluar. Ndoshta e vonuar por më mirë vonë se kurë për studimin analizën dhe hulumtimin e Rekës së Epërme. Një krahinë e cila është lënë pas dore por shumë e begate me vlera popullore, zakone, gjuhë dhe një histori shumë të lavdishme të popullit tonë. Për të cilën mendoj se sot do të shoshitet nga të gjitha këndet shkencore dhe mendoj se me këtë është hapur një kaptinë e re për begatitë, për vlerat që i ka kjo anë", tha Nasir Selimi, profesor universitar.

Konferenca në fjalë u mbajt nën organizim të Institutit "Max Van Der Stoel" në emër të të cilit, iu drejtua kryetari i këtij instituti, Prof. Dr. Veton Latifi.

Punimet nga kjo konferencë shkencore do të përmblidhen në një botim të posaçëm i cili sipas organizatorëve do të jetë bazë e mirë për studiuesit e ardhshëm të kësaj trevave. Bedri Rexhallari

Free Traffic Exchange