Tetovë, banorët ankohen për gjendjen e rrugëve

2015-08-21 2

Gropa të mëdha, baltë, ujë dhe pusetat e hapura nëpër rrugë, që pengojnë këmbësorët. Kjo është pamja e rrugës "Bllagoja Toska" në Tetovë, e cila lidh shkollën e mesme tekstile dhe Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore të USHT-së. Rruga vazhdon të jetë në këtë gjendje prej vitesh tashmë, pasi aq qeverisja e mëparshme lokale, dhe as kjo e tanishme, nuk kanë ndërmarrë asnjë aktivitet për rikonstruimin e saj. Banorët ndihen të lënë pas dore. Të irrituar ata shprehen se nuk iu intereson as politika dhe as qeveria, thjesht kërkojnë nga komuna që të rregullojnë rrugën sa më shpejt.

"Ka 25 vjet e më tepër sa jam unë këtu, kështu ka qenë kjo rrugë, në këtë gjendje. Plastikat, veturave iu mbesin rrugës. I marr i var aty. Krejt mbesin rrugës, patjetër duhet të bëhet se është rrugë kryesore, lidh spitalin rrugën e Gostivarit, kjo do të zgjerohet po çka bëjnë nuk e di".

"Shumë pengon kjo rrugë, duhet të ndërtohet kjo se shumë gropat e këqija janë, ka raste që prishet makina këtu. Do i kisha kërkuar komunës që të ndërtohet kjo rrugë të asfaltohet më së pakti".

"Për këtë rrugë jo që nuk kujdesen por as që mendojnë për këtë popull këtu, janë mësuar lart atje kanë rroga të mira, funksione të mira dhe popullata pse mundohet aspak s'mërziten. Kjo rrugë nuk është as edhe në shtetet e Afrikës, tash kush i ka fajet. Dikush i ka fajet! Neve na intereson të rregullohet rruga, në këtë rrugë mjerë popullata që jeton këtu, kanalizimin kanë rrejt do bëhet sot e nesër e kanë lënë rrugën në hall".

Por, me gjithë kërkesat e mëdha të banorëve dhe situatës emergjente që paraqitet në këtë rrugë, kryetarja e komunës së Tetovës thotë se ajo do të rikoetovëstruohet, por jo këtë vit.

"Në planifikimin tonë buxhetor të vitit 2014, gjithsesi se ajo rrugë ka hy, unë jam shumë e vetëdijshme për gjendjen e asaj rruge dhe të shumë rrugëve të tjera, prandaj në prioritetet e vitit 2014 është gjithsesi "Bllagoja Toska" në më shumë aspekte si riparimi, zgjerimi, hapja e kështu me radhë", deklaroi Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.

Në gjendje të përafërt është edhe rruga mbi Universitetin e Punëtorëve në Tetovë. Prej kohësh, ajo rrugë është gërryer për t'u rikonstruuar por deri më sot, është lënë në harresë.

Bashkim Sulejmani