Bastoret e ligjshme sportive janë para mbylljes. Përveç problemit me ndryshimet e Ligjit për tatim personal, me të cilat parashikohet që cdo fitore të taksohet me 10 %, një problem i madh që përfundimisht do t'i mbyllë objektet është edhe Ligji për veprimtari filmike që do të fillojë zbatimin prej 1 janarit të vitit 2014. Nga Asociacioni i Bastoreve Sportive shprehen se obligimi për të paguar 1,3 % të të ardhurave bruto, thjeshtë përkthehet si përfundim i punës së tyre, pasi bëhet fjalë për një shumë të madhe parash, për shkak të qarkullimit të madh, ndërsa nga ana tjetër, fitimit të vogël në këtë veprimtari.
"Ligji i tillë, siç është ky tani, është tërësisht shkatërrues për lojërat e fatit. Nëse mbetet kjo zgjidhje, e ne do të tentojmë me të gjitha forcat që të mos mbetet, do të paraqesë shuarje komplete, pasi institucioni buxhetor drejtpërdrejt nxjerr para nga sektori privat", tha Goran Paviqeviq, ABSM .
Asosacioni i Bastoreve Sportive paralajmëroi takim për të hënën me ministren e Kulturës me qëllim qartësimin e këtij problemi, duke bërë të ditur se ata tashmë i paguajnë shtetit 20 % të pagesave, që do të thotë se obligimi ndaj Fondit të filmit është taksë mbi taksë. Bastoret sportive në nivel vjetor për organizimin e lojërave i paguajnë shtetit mbi 5 milionë euro. Me obligimin ndaj Fondit të Filmit janë edhe mediat, të cilat, nga ana tjetër duhet të paguajnë 1,1 % të të ardhurave bruto që do të thotë ngarkesë plotësuese financiare për ta. Mediat private paralajmëruan se këtë taksë do ta ankimojnë në Gjykatën Kushtetuese. Një hap të tillë e paralajmëroi edhe Asociacioni i bastoreve Sportive, në rast të miratimit të ndryshimeve të Ligjit për tatim personal, të cilat tashmë janë në procedurë parlamentare
"Ne konsiderojmë se kjo zgjidhje ligjore nuk është e zbatueshme në praktikë dhe do të kontribuojë për pakënaqësi më të madhe te një numër i madh i lojtarëve, që sërish do të kthehen drejt tregut të paligjshëm dhe për shkak të pamundësisë për pagesë do të zhvillohet zona gri dhe do të kontribuojë në shuarjen e bastoreve të ligjshme dhe lojërave të fatit", u shpreh Sllobodan Veselinoviq, ABSM.
Në shtet veprojnë 400 bastore sportive të 8 organizatorëve të lojërave të fatit, ku momentalisht punojnë 2 500 persona. Me vendimin që cdo fitim të taksohet me 10 % e jo si deri tani, vetëm ato mbi 10 mijë denarë, nga Asosacioni i Bastoreve paralajmërojnë edhe për rënien drastike të të ardhurave, e në këtë mënyrë edhe të tatimeve. Do të cenoheshin edhe 30 mijë vende të punës, të cilat janë të ndërlidhura me lojërat e fatit. Goran Temenugov