A1 Report - Gjykata e Larte nuk rikthen ne detyre gjyqtarin Neritan Tabaku

2015-08-21 11

TIRANË - Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e Neritan Tabakut për t'u rikthyer në punë. Vendimi është dhënë sot pasdite, ndërsa Tabaku kishte kërkuar nga Gjykata e Lartë që ta rikthente atë në detyrë.

Sipas ankimuesit Gjykata e Tiranës e kishte shpallur të pafajshëm atë ndërsa prokuroria aktualisht e ka çuar këtë çështje në Gjykatën e Apelit. Vendimi është dhënë nga 15 anëtarët e Kolegjeve të Bashkuar.

Pas seancës ka folur edhe avokati i Neritan Tabakut. "Nuk mund ti themi argumentet që u përdorën për tu rrëzuar këtë vendim pasi u desh një ditë e tërë për ti diskutuar. Vendimin do ta ankimojmë në Gjykatën Kushtetuese" tha avokati i Tabakut pas dhënies së vendimit.

Ndërsa përfaqësuesi i KLD-së në këtë çështje ka falenderuar gjykatën për dhënien e këtij vendimi.

Gjykata e Lartë nuk ka bërë të ditur se sa prej anëtarëve të kolegjit kanë qenë pro dhe kundër rikthimit në detyrë të gjyqtarit Tabaku, detaje për të cilat thanë se do i bëjnë publike në zbardhjen e vendimit, për të cilin mund të duhet një javë kohë.

Me këtë kërkesë Tabaku kërkonte që kolegjet e bashkuara në Gjykatën e Lartë, të anullojnë vendimin administrative të KLD-së që e shkarkoi atë pak kohë më parë për t'I hapur rrugën hetimeve dhe procedimeve të prokurorisë.

Procedimi nisi për mungesën e zbardhjes së vendimit që liroi Ilir Xhakjen, i cili pas këtij lirimi qëlloi në një ngjarje tjetër për vdekjen shefin e komisariatit të Policisë së Shijakut Adem Tahiraj.

Tabaku u gjykua nga Gjykata e Tiranës, e cila rrëzoi kërkesën e prokurorisë që kërkoi 3 vite burg duke e shpallur atë të pafajshëm, vendim ky i cili është apeluar nga prokuroria.