A1 Report - Raporti i Avokatit të Popullit: Spitalet, te frikshme e alarmante

2015-08-21 1

TIRANË - Gjendja në të cilën ndodhen spitalet shqiptare janë përtej çdo imagjinate. Një raport i detajuar i "Avokatit të Popullit", i cili ka monitoruar institucionet e kujdesit shëndetësor në të gjithë vendin në 2011, 2012 dhe 2013 na jep një realitet dhe më të frikshëm se fotot e postuara herë pas here nga vetë pacientët në rrjetet sociale.

Kështu në repartin e hemodinamikës në QSUT, ku bëhen koronorografitë për të gjithë Shqipërinë, infermieret detyrohen që për të bërë sterilizimin e pajisjeve mjekësore, t'i marrin në krahë dhe t'i çojnë te spitali francez. Dhe kjo ndodh çdo ditë. Pa folur pastaj për mungesa të tilla si pambuku, dezinfektuese i duarve apo dorezat, që në shumë raste i blejnë vetë. Gjithashtu kjo sallë unike kishte katër vjet pa u lyer dhe e spërkatur me gjak nëpër mure.

Në repartin e reanimacionit të kardiologjisë po në QSUT, pacientët shtrohen në korridoret e saj, ilaçet mungojnë në pjesën më të madhe të rasteve, ndërsa nuk ka as alkool apo shiringa.

Te shërbimi i ortopedisë, që ndodhet te Spitali i Traumës, Avokati i Popullit konstaton se situata është kaq alarmante sa personeli detyrohet të komunikojë me pacientin që të presë derisa të lirohet shtrati për t'u shtruar.