Dibranët peticion për mbrojtjen e lumit Radika

2015-08-21 8

Qytetarët e Komunës së Dibrës dhe mbi 20 OJQ që veprojnë në këtë qytet kanë dorëzuar në Qeveri dhe Kuvend peticionin me mbi 7 mijë firmat e mbledhura kundër iniciativës së ELEM-it, për të marrë afër shtatë metër kub ujë nga lumi Radika, duke ia ndryshuar kështu lumit drejtimin e rrjedhjes së saj natyrore.

"Kemi ardhur në Qeverinë e Maqedonisë për ta dërguar peticionin e nënshkruar nga dibranët. Nga të gjithë dibranët pa përkatësi etnike dhe fetare, të gjithë janë bashkë. Dhe për ta dërguar këtu zërin edhe të gjithë atyre dibranëve që janë jashtë atdheut që i kanë thënë dhe i thonë jo devijimit të Lumit Radikë. Shpresojmë që Qeveria do ta marrë parasysh këtë peticion. Në të kundërtën do të vazhdojnë protestat dhe do ti kërkojmë të drejtat tona në instancat ndërkombëtare", tha Dritan Lleshi, kryetar i grupit organizativ të OJQ-ve.

Kryesuesi i Këshillit Komunal të Dibrës Bashkim Mashkulli tha se me këtë iniciativë të ELEMI-it shkelen konventat ndërkombëtare të cilat nuk lejojnë devijimin e rrjedhës natyrore të ujërave.

"Jemi kundër devijimit të Lumit Radika i cili ka rrjedhë natyrore nëpër Dibër, dhe kalon në Shqipëri. Ky projekt që bëhet, projekti energjetik "Llokovsko Pole", devijimin e lumit Vardar e çojnë në Vardar dhe e derdhin në Greqi. Me këtë shkelen konventat ndërkombëtare për devijimin e ujërave por edhe Dibrës i bëhet dëm i madh ekologjik dhe jetësor", u shpreh Bashkim Mashkulli, kryetar i këshillit të Komunës Dibër.

"Kjo është një hendikep jashtëzakonisht i madh edhe pse qytetarëve të Dibrës ky ujë prej Zotit ju ka takuar prej kohësh, tani i merret pa asnjëfarë konsultimi e kompensimi. Ne jemi për t'u bërë këto projekte të realizohet vetëdevijimi i ujit. Absolutisht nuk tolerojmë që të devijohet në Vardar", deklaroi Abdyl Koleci, kryetar i Bashkësisë së ujërave-Dibër.

Lumi Radika për dibranët është burimi kryesor i ujit të pijshëm por që shfrytëzohet nga banorët edhe për vaditje të tokës. Mbledhja e firmave si dhe protesta e Dibranëve vjen pas paralajmërimit të ELEM-it që ujin e Lumit Radika të Dibrës, ta kahëzojë në drejtim të liqenit të Mavrovës për nevoja të prodhimit të rrymës, projekt ky nga Banka Botërore. Më pas të njëjtin ujë ta dërgojë për në lumin Vardar. Ferikan Iljazi

Free Traffic Exchange