TIRANË - Deputeti i Partisë Demokratike Florion Mima, ka deklaruar se, kryeministri Edi Rama po fsheh buxhetin. Sipas tij, "në Ligjin Nr. 9936, datë 26.6.2008 "Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë", neni 29, paragrafet 2 dhe 4, thuhet se: "Kryeministri i vendit, miraton buxhetin në qeveri deri më datën 25 tetor dhe se, brenda datës 1 nëntor, ai duhet t'i jetë paraqitur Kuvendit".
"Sot është data 11 dhjetor dhe jo që në Kuvend nuk ka mbërritur asgjë, por as në qeveri nuk është miratuar projekt-dokumenti më i rëndësishëm ekonomik, financiar, social dhe zhvillimor i vendit", deklaroi Mima gjatë konferencës për median.
Mima deklaroi se, "Partia Demokratike do të ç'pojë me shifra, fakte dhe argumente këtë tullumbace demagogjike dhe propagandistike të kryeministrit sapo dokumenti buxhetor dhe politikat e shkruara të vijnë në Kuvend".
"Paraprakisht - tha deputeti demokrat, - vërejmë se projekti i ri buxhetor dhe politikat e taksave, janë jo në mbështetje të 95% të shqiptarëve, por kundër interesave të 100% të tyre. Ky është buxheti i demagogjisë, i pasigurisë, i terrorit mbi biznesin dhe konsumatorin, është buxheti i mllefit dhe urrejtjes ndaj shtresës së mesme dhe buxheti i varfërimit të mëtejshëm të të varfërve".