A1 Report - Gjirokaster, emigrantet në rradhe per të shlyer gjobat e papaguara

2015-08-21 5

GJIROKASTËR - Me qindra qytetarë shqiptarë kryesisht ata me banim të përkohshëm në Greqi, u është ndaluar udhëtimi drejt shtetin grek, pa paguar më parë gjobat e vendosura nga Policia Rrugore. Tre ditët e fundit pranë sporteleve të bankave në Kakavije kanë paguar gjobat mbi 350 persona të cilëve u është privuar udhëtimi për në Greqi, me urdhër të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Shumë prej tyre ankohen se numri i gjobave ndaj tyre është i padrejtë, dhe se për shumë prej tyre nuk kanë qenë në dijeni më parë.

"Javën e parë kalova, tani na kanë dalë 3 gjoba. Se di fare se ku më janë vendosur keto gjoba. Nuk e kam idenë,as kam firmosur gjëkundi".
"Këtu thotë nuk është në emrin tim fare. Makina në emrin tim, gjoba s'është në emrin tim. Gjoba është marrë në Lushnje. Makinën time përveç meje nuk e komandon dot njeri".
"Unë kam marrë 5 gjoba. As e di fare se kur janë vendosur këto gjoba. Isha nisur për në Greqi. Para 3 dite kalova, ndërsa sot më thua mua që ke gjoba. Vete atje e më nxjerr 5 gjoba, as e kam idenë fare ku kanë dalë këto gjoba", janë shprehur disa prej drejtuesve të mjeteve që janë gjobitur.

Vlera e gjobave, ka qenë nga 500 lekë deri në 20 mijë lekë ndërkohë që periudha e vendosjes së tyre i përket muajve të fundit. Disa prej tyre kryesisht emigrantë, dokumentojnë me fakte se gjobat të cilat detyrimisht duhet të paguhen jashtë dëshirës së tyre, janë vendosur në një periudhë, kur ata nuk kanë qenë prezent në Shqipëri.