GREQI - Faktin e tmerrshëm se kishte vrarë të shoqin, e firmosi pardje paradite në orën 10:30 në hetuesinë e qytetit të Patrës, "Vejusha e Zezë", 54-vjeçarja shqiptare Eva Zhanga.
Minoritarja nga Saranda, e pagëzuar edhe me emrin Evangelina pranoi se ka qenë në prezencë kur u zhvillua vrasja tragjike e 43-vjeçarit biznesmen, Taso Cangaropulos, por tha se vrasësi ishte ish-bashkëshorti i 3-të, që ka vdekur nga "kanceri". Në polici pat deklaruar se "Kur erdhi në shtëpi, i dhashë një kafe, por aty kisha futur brenda ilaç gjumi. Kur filloi të zalisej, ishte im shoq që e goditi me sqepar katër herë në kokë.
Kurse unë e godita me thikë, duke i futur thikën tri herë në fyt. Që të dy e morëm kufomën dhe e futëm poshtë në bodrum. Aty hapëm një gropë poshtë pllakës së dushit dhe e varrosëm. Pastaj u vendos sipër një pllakë e re dushi". Në policinë e Patrës, dëshmuan edhe dy persona të tjerë, një 51-vjeçar që ishte pronari i shtëpisë ku u gjet kufoma dhe një shqiptar, i cili dyshohet të jetë personi që telefonoi në një emision televiziv dhe dha informacione për ngjarjen.
"Unë thjesht dhashë banesën me qira dhe nuk di asgjë tjetër",- tha 51-vjeçari. Ndërkaq, shqiptari tha se "Më kërkuan të shkatërroja dushin, mirëpo unë nuk pranova, pasi pronari i shtëpisë nuk më kishte dhënë lejë".